Ish kryeministri japonez Abe nën hetim për përvetësim fondesh publike

schedule09:08 - 25 Nëntor, 2020

schedule 09:08 - 25 Nëntor, 2020

Ish kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, dha dorëheqjen në muajin shtator për arsye shëndetësore. Por aktualisht ai është nën hetim pasi mendohet se ka përdorur 770 mijë dollarë të fondeve publike për të paguar darka me mbështetësit e tij.

Zyra e ish kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, ka mbuluar një mungesë prej 770 mijë dollarësh, të cilat ishin të destinuara për të financuar një seri organizimesh dhe darkash për mbështetësit e ish kreut të qeverisë. Ky veprim, përbën shkelje të ligjit për kontrollin e fondeve publike, që është ë fuqi në Japoni. Lajmi është publikuar nga agjencia e lajmeve “Kiodo” që citon burime në dijeni të situatës.

Polemikat e shkaktuara nga eventet private të organizuara nga zyra e kryeministrit shënjuan muajt e fundit të administratës Abe, i cili dha dorëheqjen në muajin shtator për arsye shëndetësore. Ditët e fundit sekretarë dhe mbështetës të Abe u morën në pyetje nga prokurorë, të cilët po përqendrojnë hetimet e tyre në darkat e organizuara çdo vit nga zyra e kryeministrit në periudhën 2013 – 2019, në disa hotele luksoze në Tokio.

Hetimet nisën pas një denoncimi të bërë në muajin maj ndaj Abe, sekretarit dhe menaxherit të tij. Çështja ligjore po mbështetet dhe nga avokatë e akademikë të cilët akuzojnë ish kryeministrin se ka shkelur ligjin; duke mos deklaruar se ka përdorur fonde publike për të mbushur diferencën mes shpenzimeve të eventeve dhe kontributeve të dhëna nga pjesëmarrësit.

Shifra prej 8 milion jen që pretendohet nga prokurorët, është shpenzuar nga zyra e kryeministrit që nga viti 2015, për një seri darkash në dy hotele të kryeqytetit japonez, shpenzimi total për të cilat mendohet të ketë qenë 20 milion jen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!