Ish-zyrtarë të lartë përgjegjës për sigurinë kombëtare në Shtetet e Bashkuara kanë bashkuar zërat kundër murit që presidenti Donald Trump synon të ngrejë në kufi me Meksikën. Përmes një deklarate të përbashkët, ish-zyrtarët vlerësojnë se në kufirin jugor të Amerikës nuk ka asnjë krizë dhe se muri është i panevojshëm.
Të paktën 58 ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara kritikojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të presidentit Donald Trump, me qëllim ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën. Në një deklaratë të përbashkët, ata thonë se nuk ka fakte bazë për një gjendje të tillë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Deklarata është nënshkruar nga ish-zyrtarë të të dyja palëve, përfshirë këtu ish-ambasadorin amerikan në OKB Tomas Pikering dhe ish-sekretaren e Shtetit, Medlin Ollbrajt. “Nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se ekziston një emergjencë kombëtare për të cilën presidentit i duhen dhënë fondet për të ndërtuar një mur në kufirin jugor”, thuhet në deklaratën e cituar nga “Ëashington Post”. Gjithashtu, ndryshe nga sa pretendon Trump, se Shtetet e Bashkuara po përballen me një krizë kriminaliteti dhe droge, kalimet ilegale të kufirit janë në minimumin historik në dekada dhe shumica e substancave narkotike trafikohet përmes detit. Ish-sekretari i Shtetit, Xhon Kerri, ish-shefi i Pentagonit Çak Hejgëll, ish-drejtori i CIA-s Leon Paneta dhe ish-këshilltarja për sigurinë kombëtare e administratës Obama, Suzan Rajs kanë nënshkruar letrën. Deklarata me 11 faqe vjen një ditë përpara se Kongresi të votojë për bllokimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, votim ndaj të cilit presidenti Trump ka premtuar se do të vendosë veton. /abcnews.al