Ish-drejtuesi i Policisë së Katalonjës akuzohet zyrtarisht Spanja

schedule14:18 - 5 Prill, 2018

schedule 14:18 - 5 Prill, 2018

Drejtësia spanjolle ka akuzuar zyrtarisht ish-drejtorin e policisë lokale të Katalonjës për kryengritje. Ai është transferuar për në Madrid, ku pritet të gjykohet.

Ish-shefi i policisë së Katalonjës, të quajtur ndryshe “Mossos”, Josep Lluis Trapero, është akuzuar zyrtarisht për “kryengritje” dhe “organizim kriminal” dhe është dërguar për gjykim në Madrid për referendum për pavarësi dhe manifesitmet e 20 Shtatorit të vitit të kaluar. Bashkë me Trapero janë dërguar për gjykim në Spanjë edhe ish-drejtori tjetër i “Mossos” Pere Soler dhe ish-sekretari i brendshëm i rajonit autonom, Cesar Puig.

Ndërkohë, në një çështje tjetër, 15 politikanë të Katalonjës, mes të cilëve ish-presidenti Carles Puigdemont janë akuzuar zyrtarisht për “rebelim” nga Gjykata e Lartë. Ky i fundit aktualisht mbahet në një burg nga drejtësia e Gjermanisë, në pritje të vendimit për ekstradimin e tij të mundshëm për në Spanjë.

Ndërkohë, lideri tjetër separatist katalan, Jordi Sanchez, i cili gjendet në paraburgim në Madrid, ka pranuar kandidaturën për president të Katalonjës me propozim të ish-liderit të shkarkuar, Carles Puigdemont, dhe është deklaruar në gatishmëri të grupimit të tij politik, “Sëbashku për Katalonjën”.

Kandidati i fundit, Jordi Turull, që u arrestua mes turnit të parë dhe të dytë zgjedhjeve parlamentare, akoma mbahet në një burg të Madridit, njoftoi se heq dorë nga gara për drejtimin e rajonit autonom./abcnews.al