“Koha na dha prapë të drejtë”. Me këtë frazë e nis ish-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagimin në lidhje me shpalljen “non grata” nga ana e SHBA-vë të ish-deputetit, Aqif Rakipi. Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako, të tre të shpallur “non grata” nga SHBA, sipas Bashës kanë kryerr bashkë me kryeministrin Rama “masakrën zgjedhore” term me të cilin ka cilësuar zgjedhjet e përgjithshme të 15 prillit.
“Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim”, shkruan Basha.
Në reagimin e tij Basha shpërndan argumentet e DASH në lidhje me arsyet se përse Rakipi është futur në listën e zezë.
“Në argumentimin nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për sanksionet ndaj Aqif Rakipit theksohet: “Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”. Ky paragraf tregon se si i “fitoi” zgjedhjet Edi Rama në 2017 dhe në 2021. Kriza në të cilën ndodhet sot Shqipëria, është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor, që dje u konfirmua edhe nëpërmjet sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse këtë duhet ta kishin bërë organet ligjzbatuese shqiptare, ai është një lajm i mirë që partneri ynë strategjik SHBA është fokusuar në luftën kundër korrupsionit që po minon demokracinë dhe po shkatërron mirëqenien e shqiptarëve”, shkruan Basha.
Dje DASH ka shpallur një listë tjetër me të padëshiruarit për të hyrë në SHBA, mes të cilëve është ish-deputeti Aqif Rakipi dhe biznesmeni Ylli Ndroqi. Sipas DASH, Rakipi është i përfshirë në krim të organizuar dhe përmes kësaj ka influencuar dhe në politikë. “Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”, argumentohet nga DASH.
Duke përdorur këtë aktivitet dhe paranë, DASH thotë se Rakipi ka bërë emërime në poste kyçe në politikë. “Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë”.
Aqif Rakipi ka qenë deputet deri në janar të 2018-ës, kur KQZ ia hoqi mandatin pasi nga një hetim i prokurorisë kishte rezultuar se ai nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit ndalimet nga policia në Itali. “Non grata” është shpallur dhe familja e tij. Djali i Aqif Rakipit, Ornaldo Rakipi është deputet i Parlamentit, i zgjedhur nga listat e PS-së në Tiranë.
/abcnews.al