Një investim i madh që rrezikohet seriozisht. Nuk dihet nëse Aleksandër Isak do të mund të kthehet këtë sezon, ndërsa sulmuesi I Liverpulit pësoi një dëmtim të rëndë, dhe u konfirmua më e keqja.
Ylli suedez ka pësuar thyerje në këmbën e majtë, pikërisht në kavilje, dhe iu nënshtrua pa vonesë operacionit.
Kjo ndodhi në ndeshjen që Liverpuli e fitoi 2-1 në fushën e Totenhemit në Premier Ligën angleze.
Futbollisti 26-vjeçar shënoi golin e avantazhit 1-0 për të kuqtë në 56’, por ndërhyrja nga një mbrojtës kundërshtar pati pasoja.
Ai u detyrua ta linte menjëherë terrenin dhe kaloi vizitat mjekësore, e pastaj operacionin.
Siç njoftojnë mediat angleze, Isak mund të mungojë disa muaj, por nuk dihet saktësisht sesa, pasi kjo varet nga shpejtësia e riaftësimit.
Liverpul ka probleme këtë sezon, me sulmuesin tjetër Salah që ka qenë në konflikt me trajnerin, e që do të mungojë sepse luan në Kupën e Kombeve të Afrikës, si dhe me gjermanin Virc që nuk po jep atë që pritet.
Pavarësisht fitores jashtë fushe, skuadra e teknikut holandez Slot është 10 pikë prapa Arsenalit që kryeson Premier Ligën, dhe ndodhet në vendin e pestë, pranë zonës Champions./abcnews.al


