Irani thotë se ka ekzekutuar katër “sabotues” të lidhur me Mossadin

schedule09:33 - 29 Dhjetor, 2023

schedule 09:33 - 29 Dhjetor, 2023

Irani ka ekzekutuar katër “sabotues” të lidhur me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, tha agjencia e lajmeve Mizan, që është e lidhur me sistemin gjyqësor iranian.

“Katër anëtarë të një ekipi sabotues të lidhur me regjimin Zionist [v.j. referencë për Izraelin] që kanë kryer veprime të gjera kundër sigurisë së shtetit nën udhëheqjen e zyrtarëve të Mossadit, u ekzekutuan mëngjesin e sotëm pas procedurave ligjore”, raportoi Mizan më 29 dhjetor.

Dy javë më parë, agjencia shtetërore e lajmeve iraniane, IRNA, tha se një agjent i dyshuar i Mossadit ishte ekzekutuar në provincën juglindore të Sistan-Baluçistanit. Megjithatë, kjo media nuk identifikoi personin e ekzekutuar dhe as nuk dha detaje për akuzat për të cilat ai dyshohej.

Zyrtarët iranianë shpesh akuzojnë fuqitë e huaja për ndërhyrje dhe gjykimet në Iran zhvillohen në mënyrë jotransparente.

Po ashtu Irani, armik i Izraelit, ka lavdëruar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – për sulmet e 7 tetorit në jug të Izraelit, që nxitën luftën.

Si pasojë e sulmeve të befasishme të Hamasit, në Izrael u vranë 1.200 persona dhe u rrëmbyen 240 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me fushatë tokësore dhe ajrore në Gazë, që deri më tani ka lënë të vdekur mbi 21.000 palestinezë dhe ka shkatërruar pjesë të mëdha të Rripit të Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë banorë./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!