Irani planifikon të furnizojë Rusinë me qindra dronë luftarakë për t’i përdorur për luftën në Ukrainë, ka thënë një zyrtar amerikan.
BBC shkruan se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se informacioni që SHBA ka siguruar sugjeron se Irani po përgatitet të trajnojë forcat ruse për të përdorur dronët.
Zyrtari amerikan tha se është e paqartë nëse Irani i ka dorëzuar ose jo dronët Rusisë.
Autoritete iraniane kanë deklaruar se bashkëpunimi teknologjik me Rusinë i ka fillimet përpara se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës, pa konfirmuar ose mohuar pretendimin e SHBA-vë.
“Nuk ka pasur ndonjë zhvillim të veçantë në këtë marrëdhënie kohët e fundit,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani Chafi, i cituar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars./abcnews.al/