Teherani ka paralajmëruar se do të reagojë nëse sanksionet e Kombeve të Bashkuara rikthehen mbi Iranin për shkak të programit të tij bërthamor. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi të hënën se çdo përpjekje për të aktivizuar mekanizmin e njohur si “snapback” — që rikthen automatikisht sanksionet e OKB-së — do të marrë një përgjigje “të përshtatshme dhe proporcionale” nga Republika Islamike e Iranit.
Komentet e tij vijnë pasi një burim diplomatik francez tha javën e kaluar se fuqitë evropiane mund të detyrohen të riaktivizojnë sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje e re bërthamore që garanton sigurinë evropiane.
Mekanizmi “snapback” është një dispozitë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e njohur si Plani Gjithëpërfshirës i Veprimit të Përbashkët (JCPOA), e cila parashikon rikthimin e menjëhershëm të sanksioneve nëse Irani akuzohet për shkelje të konsiderueshme të angazhimeve të tij. Marrëveshja u firmos nga Irani dhe gjashtë fuqitë botërore: Britania, Gjermania, Franca, SHBA, Rusia dhe Kina.
Zëdhënësi iranian akuzoi vendet evropiane se po përdorin mekanizmin “snapback” si një mjet presioni, ndërsa vetë nuk kanë respektuar detyrimet e tyre ndaj marrëveshjes.
“Palët evropiane, të cilat përpiqen vazhdimisht të përdorin këtë mekanizëm si mjet presioni, kanë shkelur rëndë dhe në mënyrë të përsëritur angazhimet e tyre ndaj JCPOA-së. Për këtë arsye, ata nuk kanë as bazë ligjore e as morale për të aktivizuar këtë mekanizëm,” deklaroi Baghaei.
Perëndimi vazhdon të akuzojë Iranin për përpjekje drejt ndërtimit të një arme bërthamore, akuzë që Teherani e mohon kategorikisht. / abcnews.al