Organizatorët e konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë thanë se kanë anuluar ftesat drejtuar qeverisë iraniane për edicionin e këtij viti, nga 13 deri më 15 shkurt, pas represionit ndaj protestuesve, njofton sot agjencia France Presse.
“Para disa javësh u dërguan ftesa për disa përfaqësues të qeverisë iraniane. Në dritën e zhvillimeve aktuale, Konferenca e Sigurisë në Mynih nuk do t’i pranojë këto ftesa”, tha një zëdhënës i ngjarjes për AFP.
Protestat për shkak të kostove të jetesës shpërthyen në Iran më 28 dhjetor dhe u bënë një nga ngjarjet më të mëdha kundër regjimit që nga shpallja e Republikës Islamike në vitin 1979. Organizata joqeveritare norvegjeze Iran Human Rights (IHR) thotë se të paktën 3,428 persona kanë humbur jetën, raste këto të konfirmuara nga IHR ose burime të pavarura.
Vlerësime të tjera flasin për mbi 5000 të vdekur ose edhe disa për 20 mijë, por mungesa e internetit e vështirëson verifikimin nga organizatat joqeveritare dhe mediat. Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë u pyet për raportimet se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi ishte ftuar në konferencën e sigurisë në Mynih.
“Duke pasur parasysh përplasjen e përgjakshme me protestuesit, nuk besojmë se pjesëmarrja e tij do të ishte e përshtatshme”, u përgjigj ai.
Ndryshe, konferenca e Sigurisë në Mynih është një ngjarje vjetore në kalendarin diplomatik që tërheq rregullisht politikanët kryesorë botërorë.


