Iran, një javë protesta mbi mungesën e ujit, 3 të vdekur

schedule07:17 - 23 Korrik, 2021

schedule 07:17 - 23 Korrik, 2021

Protestat mbi mungesën e ujit në pjesën jugperëndimore të Iranit të prekur nga thatësira, duket se janë përhapur tashmë në më shumë qytete, duke e çuar në tre numrin e viktimave ndërsa trazirat kanë hyrë në ditën e shtatë të tyre.

Pamje filmike të postuara në media sociale tregojnë protesta në rrugë të mërkurën në disa pjesë të provincës Khuzestan, në qytetet Ahvaz, Behbahan, Dezful, Izeh, Masjed Soleyman, Ramshir dhe Susangerd.

Në disa pamje që thuhet se janë filmuar në qytetin Izeh, forcat e sigurisë shfaqën duke hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Në pamje të tjera filmike të mendohet se janë siguruar në qytetin Masjed Soleyman, shihen demonstrues që brohorasin “policë, na mbështesni”, për shkak të shqetësimeve në lidhje me goditjen e ashpër që forcat e sigurisë u kanë bërë tubimeve të mëparshme.

Video të tjera të publikuara në mediat sociale tregonin banorë të qytetit Yazdenshahr, në provincën fqinje të Isfahanit, të mbledhur në mbështetje të protestuesve në Khuzestan. Protesta në Isfahan është e para në këtë provincë që pas fillimit të protestave në Khuzestan të enjten e kaluar, të cilat janë shndërruar në shprehjen më të gjerë e të qëndrueshme të shqetësimit që ka parë Irani prej disa muajsh.

Zëri i Amerikës nuk mundi t’i verifikojë nga burime të pavarura pamjet filmike që thuhet të janë xhiruar në Khuzestan dhe Isfahan. Irani e ka ndaluar Zërin e Amerikës të raportojë nga brenda vendit.

Ndërkohë faqja iraniane e lajmeve ILNA citoi zyrtarin e lartë të qytetit Izeh në Khuzestan, Hassan Nabouti, tek njoftonte vdekjen e një personi të martën gjatë protestave lokale kundër mungesës së ujit.

Zoti Nabouti tha se personi u plagos gjatë protestave dhe ishte dërguar në spital ku kishte humbur jetën. Ai shtoi se po zhvillohej një hetim për të identifikuar autorin ndërsa shtoi se 14 efektivë policie ishin plagosur gjatë protestave.

Një tjetër agjenci shtetërore iraniane e lajmeve, Fars, e identifikoi viktimën si Hadi Bahmani.

Disa persona postuan të enjten në mediat sociale video duke pretendouar se ishin xhiruar gjatë ceremonisë së varrosjes së Bahmanit në periferi të Izeh-it. Ata thanë se ai ishte një punëtor ndërtimi 17-vjeçar.

Më herët mediat shtetërore iraniane kishin njoftuar vrasjet e dy personave me arme zjarri gjatë demonstratave të së premtes së kaluar.

Agjencia iraniane e miratuar e lajmeve ISNA tha Presidenti Hassan Rouhani i tha guvernatorit të provincës Khuzestan në një telefonatë të enjten që autoritetet duhet të dëgjojnë dhe të respektojnë të drejtat e protestuesve që kanë vuajtur nga thatësira dhe nxehtësia ekstreme.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se Uashingtoni po ndiqte nga afër protestat në Khuzestan “përfshirë njoftimet që forcat e sigurisë kanë qëlluar mbi protestuesit”.

Ne mbështesim të drejtën e iranianëve për t’u shprehur dhe grumbulluar në mënyrë paqësore. Iranianët, ashtu si çdo popull tjetër, duhet t’i gëzojnë këto të drejta pa frikë nga dhuna apo ndalimet arbitrare nga forcat e sigurisë“, tha zoti Price.

Mungesat e ujit në Iran është pjesërisht rezultat i faktorëve të lidhur me motin, përfshirë dhe një rënie të ndjeshme të reshjeve, që në muajt e fundit ka qenë më shumë se 40%, nën nivelet e vitit të kaluar.

Por ekspertët thonë se dekada të tëra të keqmenaxhimit nga ana e qeverisë iraniane kanë nxitur gjithashtu thatësirën. Ata fajësojnë ndërtimin e pamenduar të digave si dhe devijimin e ujit të lumenjtë drejt objekteve industriale në rajonet fqinje, praktika që kanë tharë burimet e ujit të pijshëm e për qëllime bujqësore./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!