Iraku pas atentatit të dështuar ndaj kryeministrit al-Kadhimi

schedule15:06 - 8 Nëntor, 2021

schedule 15:06 - 8 Nëntor, 2021

Kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhimi u takua me presidentin e vendit Barham Salih dhe zhvilloi takime të sigurisë dhe një mbledhje të kabinetit të dielën pasi i mbijetoi një atentati të dukshëm më herët gjatë ditës së dielë. Presidenti Joe Biden lëshoi një deklaratë ku dënoi sulmin ndaj kryeministrit al-Kadhimi dhe vleresoi thirrjet e tij për qetësi, vetëpërmbajtje dhe dialog për të mbrojtur institucionet e shtetit dhe për të forcuar demokracinë në Irak.

Në një video të lëshuar nga zyra kryeministrit, al-Kadhimi diskutoi sulmin kundër rezidencës së tij në Zonën e Gjelbër shumë të fortifikuar të Bagdadit, ku ndodhen ndërtesat e qeverisë irakiane dhe ambasadat e huaja.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë autorët e këtij krimi të rëndë, që vuri në shënjestër rezidencën e kryeministrit. Do të kërkojmë autorët. Ne i njohim shumë mirë ata dhe me siguri do t’i gjejmë”, tha kryeministri.

Sulmi me dron, i cili la të plagosur disa nga rojet e tij të sigurisë, pasoi një përplasje midis forcave irakiane të sigurisë dhe përkrahësve të partive politike të mbështetura nga Irani pas humbjeve të tyre të thella në zgjedhjet e Irakut rreth një muaj më parë.

“Ata duan një vend bandash dhe një vend pa siguri. Ne kërkojmë një shtet që do të ndërtojë Irakun, të ardhmen e Irakut, të fëmijëve tanë dhe që ruan dinjitetin e vendit. Ne respektojmë shtetin dhe sigurojmë të gjitha kushtet që garanton suksesin e tij. Ne punojmë shumë për t’u shërbyer irakianëve”, tha kryeministri Mustafa Al-Kadhimi.

Ndërkohë, trupa, patrulla dhe mjete të blinduara u vendosën rreth kryeqytetit dhe pranë Zonës së Gjelbër të tij, ndërsa helikopterët qarkullonin në hapësirën ajrore të Bagdadit.

Agjencia irakiane e lajmeve citoi një zëdhënës të ministrisë së brendshme të thoshte se në sulm u përdorën tre dronë të ngarkuar me eksploziv, dy prej të cilëve u rrëzuan nga forcat e sigurisë, ndërsa i treti goditi rezidencën e kryeministrit.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së dielës.

Presidenti Joe Biden lëshoi një deklaratë ku dënoi sulmin ndaj kryeministrit al-Kadhimi dhe lavdëroi udhëheqjen e tij duke bërë thirrje për qetësi, përmbajtje dhe dialog për të mbrojtur institucionet e shtetit dhe për të forcuar demokracinë në Irak.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken pati një bisedë telefonike me zotin al-Kadhimi të dielën për të theksuar se partneriteti i Shteteve të Bashkuara me qeverinë irakiane “është i palëkundur”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!