IPKO Superliga | Lumë golash në Kosovë, “manita” e Llapit dhe Ballkanit

schedule17:55 - 23 Shtator, 2019

schedule 17:55 - 23 Shtator, 2019

Tre përballjet e ditës së sotme dhuruan plot 14 gola në IPKO Superligën e Kosovës. Fitore të rëndësishme në transfertë për Llapin dhe Drenicën, ndërsa Ballkani shënoi pesë herë përballë Vushtrrisë.

Po kaq gola shënoi dhe Llapi në kryeqytet përballë Flamurtarit. Ekipi i Batatinës zgjidhi gjithçka në pjesën e parë me golat e Pefqelit, Zhdrellës dhe Memajt. Ky i fundit shënoi sërish në të dytën, ndërsa Granchov i Flamurtarit provoi shijen e golit dhe të autogolit.

Përfundimisht 1-5 për Llapin, që siguron fitoren e dytë rresht jashtë shtëpisë dhe ngjitet në vendin e katërt me 11 pikë. Tani kreu është vetëm një pikë larg, ndërsa Flamurtari renditet i teti me 7 pikë.

Ballkani është një nga surprizat më të bukura në këtë fillim sezoni. Ekipi nga Surareka është i pandalshëm në shtëpi. Fitorja e tretë rresht në po kaq ndeshje të zhvilluara në fortesën e tyre dhe plot 11 gola të shënuar. Berisha dhe Hoxha shënuan nga dy herë dhe Krasniqi shënoi të pestin në minutat e fundit.

Fantastik goli i tretë i Ballkanit dhe i dyti personal për Visar Berishën. Kapiteni ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi, duke realizuar një gol shumë të bukur. Fazliu barazoi përkohësisht në pjesën e parë për Vushtrrinë, ndërsa Matheus ishte autori i golit të dytë për miqtë.

Drenicës i ka mjaftuar një gol i Thaqit në minutat shtesë të pjesës së parë për të triumfuar në Ferizaj. Miqtë ruajtën avantazhin deri në fund dhe tani renditen në mes të tabelës. Ferizaj rikthehet të humbasë në shtëpi dhe renditet e treta nga fundi. /abcnews.al

Ferizaj – Drenica 0-1
(Thaqi 45+2’)

Flamurtari – Llapi 1-5
(Granchov 47’ / Pefqeli 12’, Zhdrella 13’, Memaj 45’, 65’, Granchov (aut) 75’)

Ballkani – Vushtrria 5-2
(Berisha 16’, 60’, Hoxha 48’, 70’, Krasniqi 89’ / Fazliu 40’, Matheus 85’)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!