Një gol me kokë i Adrian Cuculit i ka mjaftuar Dritës për të fituar derbin e Anamoravës dhe për të dërguar “Intelektualët” në ekstazë. Përballja mes “armiqve” të qytetit nisi në një atmosferë të zjarrtë të krijuar nga dy tifozeritë respektive.
Cuculi kërceu bukur me kokë pas rreth gjysmë ore lojë dhe gjeti rrugën e rrjetës. Gol vendimtar i mbrojtësit me eksperiencë, që i mundësoi Dritës fitoren si mysafire në derbi pas 2 vite e gjysmë.
Gjilani i Mezanit tentoi të barazonte ndeshjen, por Drita menaxhoi gjithçka dhe mori tre pikë të arta. Festë dhe vendi i dytë për Dritën dhe zhgënjim i madh e trishtim në anën e “Skifterave”.
Fitorja e katërt rresht për Prishtinën e Armend Dallkut. Bardhekaltrit nuk hasën probleme për të siguruar tre pikët në Vushtrri. Alban Shillova zhbllokoi shifrat që në minutën e dytë dhe Nertil Hoxhaj me anë të një autogoli dyfishoi për kryeqytetasit katër minuta përpara fundit të pjesës së parë.
Miqtë shënuan sërish në pjesën e dytë. Një penallti e akorduar për ta u kthye në gol nga mbrojtësi Armend Thaqi. Kjo fitore e ngjit Prishtinën në vend të pestë me 13 pikë, dy më pak se Feronikeli kryesues. /abcnews.al
Gjilani – Drita 0-1
(Cuculi 29’)
Vushtrria – Prishtina 0-3
(Shillova 2’, Hoxhaj (aut) 41’, Thaqi (pen) 56’)