Interi dhe Napoli kanë zgjedhur trajnerët e rinj të skuadrave. Kampionët e Italisë do të drejtohen nga Simone Inzaghi në dy sezonet e ardhshme. 45-vjeçari u largua nga Lazio dhe ka firmosur deri në verën e vitit 2023 me klubin zikaltër. Palët nuk kanë hasur probleme për të gjetur akordin final dhe ka mbetur vetëm zyrtarizimi.
4 milion euro në sezon do të përfitojë Inzaghi, i cili do të zëvendësojë Antonio Conten në pankinën e Interit. Curva Nord, grupimi ultras që mbështet Lazion, ka përshëndetur Inzaghin, i cili ka luajtur si futbollist dhe drejtonte si trajner skuadrën prej vitit 2016.
Ndryshe nga presidenti Lotito i cili është ndjerë i tradhtuar nga largimi i Inzaghit, tifozët bardhekaltër mendojnë ndryshe. “22 vite me shqiponjën në gjoks, në fillim si lojtar e tani si trajner. Ke fituar trofe, ke gëzuar e ke vuajtur bashkë me ne. Gjithmonë ke folur si tifoz dhe kurrë si trajner.
E ke shfaqur se je i lidhur me fanellën, historinë dhe idealin tonë. Të falënderojmë dhe nuk e kontestojmë kurrë zgjedhjen tënde. Me respekt dhe vlerësim, të urojmë fat të mbarë. Nuk ka më flamuj në futboll, përveç atyre që marrim me vete kur futemi në stadium“, lexohet në komunikatën e Curva Nord.
✍️ | Benvenuto Mister Spalletti!
? #ForzaNapoliSempre pic.twitter.com/szhCw7GPIJ
— Official SSC Napoli (@sscnapoli) May 29, 2021
Ndërkohë, trajneri i ri i Napolit do të jetë Luciano Spalletti. Rikthim pas dy vitesh në stol për 61-vjeçarin, i cili do të vazhdojë më tej punën e nisur nga Gattuso. Spalleti do të firmosë një kontratë 2-vjeçare dhe do të përfitojë 2.5 milion euro në sezon. /abcnews.al