Lazio ka mbyllur në mënyrën më të bukur vitin 2019. Ekipi kryeqytetas mposhti Juventusin për herë të dytë brenda këtij muaji, madje me të njëjtin rezultat. 3-1 fituan bardhekaltrit në finalen e Superkupës së Italisë dhe ia dolën të ngrinin lart trofeun.
Simone Inzaghi është në qiellin e shtatë, njësoj si gjithë lojtarët, stafi teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët. Ky ishte trofeu i tretë që 43-vjeçari fiton me Lazion, teksa ka fituar Kupën e Italisë (2019) dhe Superkupën e Italisë (2017) më parë.
“Realizuam diçka magjike, është e jashtëzakonshme të mposhtësh Juventusin dy herë brenda dy javëve. Ishte fitore e merituar e një grupi të fortë, që ka besuar gjithmonë në atë që ka bërë.
E stërmerituam fitoren, nderime djemve. Titulli? Duhet të vazhdojmë punën për të shijuar të tjera mbrëmje si kjo e sotmja. Gjithçka erdhi nga puna e madhe e lojtarëve. Kam besim të palëkundur ndaj tyre. Ishim padronët e fushës“, thekson trajneri që po bën Lazion të luajë një futboll spektakolar dhe të fitojë. /abcnews.al