Simone Inzaghi gëzon triumfin e tij në derbi. Interi fitoi minimalisht mbrëmjen e djeshme derbin e Milanos me rezultatin 1-0, ku autori i golit të vetëm ishte Lautaro Martinez.
Inter ka dominuar në çdo minutë të sfidës, madje gjyqtari i anuloi edhe 2 gola zikaltërve. Pas përfundimit të sfidës, Simone Inzaghi ka folur për “DAZN”.
“Ata ishin të përqëndruar, të vëmendshëm, ne dominuam në çdo moment. Të fitosh dy derbi në 20 ditë është një kënaqësi e madhe, tani le të vazhdojmë përpara me besim, le të provojmë për të kompesuar sa më parë Lukakun dhe Brozovic, të cilët na kanë munguar prej kohësh.
Lautaro? Që nga janari i vitit të kaluar ai luan në nivele të bujshme, botërore, ai ka një performancë të jashtëzakonshme. Ai e meriton, por nuk duhet të harrojmë të tjerët. Është një kënaqësi e madhe të shoh djemtë të bëjnë këto performanca të mrekullueshme.
Ultrasit zikaltër? Nuk kisha dyshime se tifozët tanë do të na jepnin një dorë për të vazhduar përpara, sepse “Curva Nord” është gjithmonë me ne. I gjithë stadiumi ishte një forcë e madhe lëvizëse për ekipin, ata na shoqëruan nga fillimi në fund. Ata janë të mrekullueshëm”, është shprehur Simone Inzaghi./ h.ll/ abcnews.al