Lazio vazhdon të luftojë me Juventusin për titullin kampion, ndërsa Simone Inzaghi nuk përton së përsërituri se objektivi i madh është kualifikimi në Champions League. Bardhekaltrit do të presin nesër (21:45) Milanin në shtëpi.
Ndeshja është e vështirë, sidomos pas mungesave të Lazios. Trajneri Inzaghi sqaron gjendjen e ekipit të tij në konferencë për shtyp, vlerëson kundërshtarët dhe sulmuesin Ibrahimovic, si dhe heq presionin e titullit nga Lazio (renditet e dyta me katër pikë larg Juventusit).
“Nesër nuk do të kemi të gatshëm Marusic, Ramos, Adekanye dhe Raul Moro. Lazzari është pak i lodhur, por mendoj se do të jetë gati për Milanin. Në dyshim janë edhe Lucas Leiva me Cataldin, por do vendos për ta pas stërvitjes së fundit.
Djemtë po zhvillojnë një sezon të shkëlqyer, më kanë bërë shumë krenar. Mungon pak nga kualifikimi në Champions League, ky është titulli ynë. Na mungojnë 7 pikë. Kapja e Juventusit do të jetë e vështirë, pasi ndikojnë faktorë si oraret e komplikuara të ndeshjeve dhe kalendari i ngjeshur.
Ibrahimovic? Nëse do të aktivizohet, do të marrë vëmendjen tonë të veçantë. Duhet të kemi kujdes nga Milani. Ata janë një skuadër e organizuar me futbollistë të shkëlqyer.
Jam i bindur që Lazio do të bëjë një ndeshje të madhe, pavarësisht mungesave (Immobile dhe Caicedo dy mungesat e mëdha në sulm) dhe skemës me të cilën do të luajmë“, deklaron Inzaghi. /abcnews.al

