Investitorët e huaj në Rusi nuk mund të tërheqin miliarda dollarë për shkak të sanksioneve

schedule21:48 - 23 Shkurt, 2023

schedule 21:48 - 23 Shkurt, 2023

Miliarda dollarë mbeten “të bllokuara” në llogaritë e investitorëve të huaj në Rusi. Por sipas Bloomberg, për shkak të sanksioneve, kompanitë nuk mund t’i tërheqin ato.

Paratë përfshijnë dividentë nga aksionet dhe interesat nga obligacionet që kompanitë e huaja nuk arritën t’i shesin para fillimit të luftës në Ukrainë. Paratë mbahen në llogari të veçanta bankare rubla për jorezidentët, të njohura si llogari të tipit C. Mbajtësit e tyre nuk mund të tërheqin nga këto llogari. Shumat mund të përdoren vetëm për qëllime specifike, të tilla si pagimi i taksave.

Sipas Bloomberg, paratë u përkasin ligjërisht disa prej shtëpive më të mëdha të investimeve, duke përfshirë JPMorgan Asset Management dhe Schroders Plc, por shumica mendojnë se nuk do t’i kthejnë paratë e tyre për aq kohë sa Vladimir Putin është presidenti i Rusisë.

Rreth 3.7 miliardë dollarë

Gjatë një konference për shtyp këtë muaj, Guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina nuk pranoi të zbulonte se sa para ka në llogaritë e veçanta bankare të tipit C, por tha se ato vazhdojnë të rriten.

Agjencia e lajmeve Interfax raportoi në nëntor, duke cituar burime pranë Bankës Qendrore, se më shumë se 280 miliardë rubla (3.7 miliardë dollarë) mbaheshin në këto llogari. Përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Rusisë nuk pranuan të komentojnë mbi këtë çështje.

Para luftës, investimet e huaja në Rusi arrinin deri në rreth 150 miliardë dollarë në aksione dhe obligacione qeveritare, sipas të dhënave nga Bursa e Moskës dhe Banka e Rusisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!