Invazioni ekonomik serb në Ballkan

schedule23:00 - 15 Shtator, 2021

schedule 23:00 - 15 Shtator, 2021

Nga Linda Karadaku

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, janë bërë tashmë pjesë e një projekti të quajtur Open Ballkan, përmes të cilit, janë nënshkruar tre marrëveshje apo memorandume bashkëpunimi. Dy prej tyre kanë të bëjnë me tregtinë mes këtyre vendeve, një marrëveshje për lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave që do të lehtësojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së tyre. Dhe një marrëveshje për qarkullimin e lirë në tregun e punës që mundëson qasjen e lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit. Kosova, Mali I Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj nisme. Duket se konsumatorët dhe bizneset e secilit nga vendet pjesëmarrëse do të përfitojnë duke rritur mundësitë e eksportit, përmes zgjerimit të vëllimeve tregtare dhe ngritjes së kapaciteteve, dhe njohjes së tregjeve të punës të secilit vend. Por, bazuar në logjikën ekonomike, nëse një vend do të përfitojë nga eksportet, vendi tjetër do të humbasë duke importuar dhe kjo ndodh kur vendet janë ekonomikisht të pabarabarta në bilancin tregtar mes tyre.

Megjithëse integrimet ekonomike synojnë të rrisin standardet e përgjithshme të jetesës në një vend, ato gjenerojnë në të njëjtën kohë, fitues dhe humbës, duke pasur parasysh se në një ose disa prej tyre, organizimi, struktura dhe menaxhimi i ekonomisë janë në nivele të pafavorshme në krahasim me vendet e tjera, të cilat do të jenë pjesë në tregun e integruar ekonomik. Për shembull, prodhuesit bujqësorë në Shqipëri nuk ka gjasa të jenë fitimprurës, ndërkohë që kostot e prodhimit, transportit dhe tregtisë janë ende të larta dhe aspak konkurruese me ato të prodhuesve bujqësorë në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Nëse hiqen barrierat e kostos doganore dhe tatimore, në fakt niveli i mbrojtjes së produkteve vendore ulet. Po kështu, efektet e tregtisë ndërkufitare në të ardhurat dhe punësimin duhet të merren parasysh me kujdes. Po kështu, një nismë e tillë, mund të sjellë si rezultat, zhvendosje të bizneseve dhe individëve nga Shqipëria që ka një standard jetese më të ulët sesa dy vendet e tjera, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë tregues makroekonomikë dhe standarde jetese në një nivel më të lartë sesa Shqipëria dhe Kosova, duke prodhuar kështu, si një efekt të drejtpërdrejtë, transferimin e të ardhurave në këto vende. Kjo ka ndodhur me vendet më pak të zhvilluara në vendet e BE -së si Polonia, Rumania, Bullgaria me integrimin e tyre në BE.

Debati më thelbësor lidhur me këtë nismë bëhet lidhur me përfitimet që do të ketë secili nga vendet pjesëmarrëse, veçanërisht duke pasur parasysh se ekonomia serbe është shumë më e zhvilluar sesa ajo e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, dhe bilancet tregtare të këtyre vendeve shkojnë në favor të Serbisë. Shqipëria importoi nga Serbia në vitin 2020, mallra në vlerën 23 miliardë lekë ndërkohë që eksportet ishin vetëm 6.3 miliardë lekë. Serbia dominon importet e Shqipërisë me ushqime, pije, duhan, minerale, lëndë djegëse, energji, material ndërtimi dhe metale. Tregtia e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi është në nivele të ulëta. 3.3% eksporte dhe 1.5% importe, janë shifrat me Maqedoninë e Veriut dhe  1.95% eksporte dhe 0.38% importe me Malin e Zi. Kosova mbetet për Shqipërinë partneri kryesor për eksportet ndërsa Serbia vendi nga importohet më shumë dhe me të cilin Shqipëria ka deficitin më të madh tregtar me minus 134 mln euro. Në vitin 2020, eksportet drejt Kosovës ishin 26.2 miliardë lekë ndërsa importet 8.3 miliardë lekë, me eksportet kryesore materialet e ndërtimit dhe metalet, çelik, tullat, çimento, lëndë djegëse, energji, ushqime, pije dhe duhan.

KOSOVA

Por as Kosova nuk është më mirë, madje, duket se ka një rritje të madhe të importeve nga Serbia pas heqjes së taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe të vendosur nga ish-qeveria Haradinaj. Të dhënat për katër muajt e parë të këtij viti, janar-prill, tregojnë se importi i mallrave nga Serbia është në rritje të vazhdueshme. Nga 14.1 milionë euro në janar të këtij viti, shkoi në 26 milionë euro në prill apo 72 për qind më shumë sesa prilli i 2020-ës. Bilanci tregtar I Kosovës me Serbinë në dekadën e fundit është dukshëm në favor të Serbisë. Serbia eksportoi në Kosovë rreth 294.2 milionë euro mallra në vit ndërsa Kosova vetëm mbi 25.5 milionë euro. Viti 2017 arriti pikun me rreth gjysëm miliardë euro ndërsa viti 2019, viti I taksës 100 përqind të ish-qeverisë Haradinaj, pika më e ulët me vetëm rreth 5.8 milionë euro. Dekada 2010-2020 tregon se importet serbe në Kosovë zënë 39 përqind të tregut në krahasim me vendet e tjera të CEFTA-s, ndërsa eksportet vetëm 18 për qind.

Duke pasur parasysh se importet e Kosovës drejt Serbisë janë në shifra të papërfillshme, bilanci tregtar Kosovë-Serbi shkon totalisht në favor të Serbisë, duke I dhënë asaj qindra miliona euro në vit dhe duke e bërë një subjekt kryesor në tregun e Kosovës. Kosova është anëtare e CEFTA-s, por kjo nuk e ka ndihmuar në raport me Serbinë për shkak të trajtimit të pabarabartë të saj. Kryeministri Albin Kurti ka propozuar shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA sipas modelit të marrëveshjes së Litejshtajnit, por kjo ide nuk ka gjetur ndonjë mbështetje konkrete. SEFTA është Marrëveshje e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë.

“Nuk mjafton tregu i përbashkët por nevojiten edhe vlerat e BE të vendosen brenda secilit shtet edhe në raportet midis shteteve. Dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe është modeli i marrëveshjes siç është EFTA, që e kanë Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Islanda që të hyjmë në marrëdhënie të përbashkëta. Propozimi im është që të kalohet nga CEFTA në SEFTA” tha Kurti.

Çështja është politike, më shumë sesa ekonomike. Marrëveshja e CEFTA-s u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës në vitin 2006 dhe në vitin 2007, Kosova u bë anëtare me të drejta të plota, por me vula doganore të UNMIK-ut. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, vulat doganore të UNMIK-ut u ndërruan me vulat e doganës së Kosovës, duke bërë që Serbia dhe Bosnja të vendosnin barriera ndaj eksporteve të Kosovës, qoftë drejt këtyre vendeve, qoftë transit nëpër to.

Vendet anëtarë të CEFTA-së, janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia, tre prej tyre, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Që nga viti 2010, Kosova ka importuar mesatarisht çdo vit rreth 744 milionë euro nga vendet anëtare të CEFTA-s ndërkohë që shumë herë më pak, vetëm 134.4 milionë euro kanë qenë eksportet e saj drejt këtyre vendeve. Vlera më e lartë e importeve të Kosovës ishte në vitin 2017 me 856.1 milionë euro ndërsa më e ulëta në vitin 2019 me 502.7 milionë euro, gjë që përkon me vendosjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve serbe. Bilanci tregtar I Kosovës me vendet e CEFTA-s në një dekadë është 8 me 1, në favor të importeve, mbi 8 miliard euro import dhe mbi 1.4 miliardë euro eksport.

Taksa 100% 2018-2019

Kur ish-qeveria Haradinaj vendosi taksën 100 % ndaj Serbisë dhe Bosnjë–Hercegovinës, Kosova importonte brenda vitit mallra në vlerë 400 milionë euro nga Serbia ndërkohë që eksportonte vetëm rreth 40 milionë euro drejt Serbisë. Në periudhën janar-korrik 2018 dhe 2019, importi i produkteve serbe në Kosovë ra dukshëm ndërsa vlera e eksporteve të Kosovës në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë nuk pesoi ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Importet nga Serbia për periudhën 7-mujore të vitit 2018 ishin 177.8 milionë euro ndërsa eksportet e Kosovës 16.8 milionë euro.

Ndërsa për  periudhën janar-korrik 2019, importet nga Serbia në Kosovë ishin vetëm 1.9 milion euro. Gjermania u bë partneri kryesor tregtar në këtë periudhë me 7.7 %, e ndjekur nga Britania e Madhe dhe Holanda. Por presioni ndërkombëtar ishte shumë I madh që Kosova ta hiqte taksën dhe çoi në rënien e dy qeverive, duke bërë që në fund, të hiqej. Heqja e taksës riktheu mallrat serbe në shumicë në tregun e Kosovës. Gjatë qeverisjes Kurti, importi i mallrave nga Serbia ka shënuar rritje të ndjeshme. Nga 14,1 milionë sa ishte në janar, shkoi në 26 milionë euro në prill dhe krahasuar kjo me prillin e vitit 2020, do të thotë se Kosova ka importuar 72% më shumë mallra nga Serbia këtë vit sesa vitin e kaluar. Serbia për më shumë se dhjetë vjet, eksporton mallra në Kosovë çdo vit rreth 300 milionë euro, ndërsa nga Kosova blen rreth 25 milionë euro.

SERBIA-MAQEDONIA E VERIUT

Edhe pse tregtia midis dy vendeve në vitin 2020 arriti në 860.5 milion euro dhe ishte më e ulët me 4.2 përqind në krahasim me një vit më parë, dhe eksportet në Maqedoninë e Veriut u ulën me 4.6 përqind në krahasim me vitin 2019, bizneset në Serbi presin që tregtia mes dy vendeve të arrijë në një miliardë euro. Serbët rritën eksportet në Maqedoninë e Veriut me 12.5 përqind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, ndërsa importet u rritën deri në 23.3 përqind.

Bashkëpunimi ekonomik në rajon, ashtu si edhe midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut ka një sërë problemesh, si mospërputhja e certifikatave që shoqërojnë mallrat, mungesa e transaksioneve direkte të pagesave midis tregjeve të caktuara, standarde të ndryshme për produkte të caktuara, mos-aplikimi i duhur i dokumenteve elektronike apo kufizimet dhe barrierat tregtare. Në të vërtetë, kur bëhet fjalë për rrugët dhe transportin, Serbia dhe Maqedonia e Veriut i kanë zgjidhur problemet e tyre duke pasur tashmë një kalim kufitar të integruar dhe, nga viti 2019, kontroll të përbashkët në vendkalimin kufitar Preshevë-Tabanoc. Falë rregulloreve dhe procedurave të harmonizuara, certifikatave, orarit të punës të shërbimeve kufitare, kamionët me mallra kalojnë pa u ndaluar në kufi.

Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar lehtë. Pati një debat midis dy vendeve lidhur me importet e miellit serb në Maqedoninë e Veriut. Serbia pati thënë se do të vendoste kundërmasa ndaj Maqedonisë së Veriut pasi Shkupi miratoi procedura të reja për importin e miellit serb. Rregullat e reja të Maqedonisë së Veriut kërkonin që mielli të futej në depo dhe të analizohej para se t’i vihej vula në këtë vend, ndërkohë që Serbia kërkonte që kjo procedurë të bëhej në Serbi sepse duke u bërë në Maqedoninë e Veriut e bënte procesin më të gjatë dhe jofitimprurës. Dy vendet arritën marrëveshje për ta zgjidhur problemin, duke rënë dakord që etiketat e kontrollit për paketat e miellit 1kg, 2kg dhe 5kg do të aplikoheshin në Serbi, ndërsa etiketat për ato prej 25kg dhe 50kg në Maqedoninë e Veriut. Serbia eksporton çdo vit 30,000-40,000 ton miell në Maqedoninë e Veriut.

SERBIA-MALI I ZI

Eksportet e Serbisë në Malin e Zi ishin 784.55 milionë dollarë gjatë vitit 2020, sipas bazës së të dhënave të Kombeve të Bashkuara COMTRADE mbi tregtinë ndërkombëtare. Eksportet e këtij vendi mbështeten kryesisht në burimet natyrore përfshirë aluminin, karburantet minerale, vajrat, hekurin dhe çelikun. Partnerët kryesorë tregtarë përfshijnë fqinjët rajonalë si Kroacia, Serbia, Sllovenia dhe Bosnje dhe Hercegovina, si dhe BE-në. Një deficit i rëndësishëm tregtar nxitet nga energjia dhe importet e larta të vlerës së shtuar. Vlera e eksporteve të mallrave për vitin 2020, ishte 366.1 milionë euro, dhe importi ishte 2 105.2 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, eksportet u ulën me 11.9%, ndërsa importet u ulën me 19.1%.  Partnerët kryesorë tregtarë për eksportet ishin Serbia me 101.0 milion euro, e ndjekur nga Sllovenia dhe Kosova. Edhe për importet, partneri kryesor tregtar ishte Serbia me 414.9 milion euro, e ndjekur nga Kina dhe Gjermania.

SERBIA-BOSNJË-HERCEGOVINA

Eksportet e Serbisë në Bosnjë dhe Hercegovinë arritën në 1.38 miliardë dollarë gjatë vitit 2020. Eksportet përbëhen nga burime natyrore dhe mallra me vlerë të shtuar të ulët, përfshirë lëndë djegëse minerale, alumin, hekur dhe çelik, dru, dhe furnizime industriale si mobilje dhe ndriçim. Nga ana tjetër, ka premtime për investime turke. Në shtator, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vizitoi Sarajevën ku u fol edhe për hapat që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar ndërtimin e autostradës Sarajevë-Beograd, themeli i së cilës u hodh më 9 tetor 2019 dhe që njihet edhe si Projekti i Rrugës së Paqes. Turqia u zotua ta financojë projektin, por edhe pse puna ka filluar në Serbi, asnjë ndërtim nuk ka filluar në Bosnjë. Autostrada ndezi tensione politike brenda vendit, sepse dy njësitë e vendit, federata dhe republika srpska, donin rrugë të ndryshme, por më pas u ra dakord që ajo të kalonte përmes të dy njësive.

SERBIA-KROACIA

Pavarësisht nga lufta pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë, ka përpjekje për të rritur bashkëpunimin ekonomik midis Serbisë dhe Kroacisë. Presidentët e Dhomave të Tregtisë të Serbisë dhe Kroacisë Marko Çadezh dhe Luka Buriloviç ranë dakord në një takim në Zagreb që Dhomat Ekonomike të Serbisë dhe Kroacisë, të intensifikojnë bashkëpunimin për t’u mundësuar anëtarëve të tyre projekte të reja biznesi, biznes më të lehtë dhe më të shpejtë. Të dy dhomat u propozuan qeverive që të mblidhet një Komitet i Përbashkët për Zbatimin dhe Nxitjen e Bashkëpunimit Ekonomik midis Serbisë dhe Kroacisë për të gjetur zgjidhje dhe për të shpejtuar dhe lehtësuar kalimet kufitare për biznesin.

Fokusi është në ndërtim, energji dhe turizëm, sektorët më të prekur nga pandemia, si dhe verërat nga Serbia dhe Kroacia. “Forumi ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik, identifikimin dhe përcaktimin e sektorëve prioritarë për bashkëpunim, tregti, investime dhe shfaqje të përbashkëta në tregjet e treta,” deklaroi Dhoma Ekonomike Serbe. Shkëmbimi tregtar midis Serbisë dhe Kroacisë është në rritje dhe arriti në 1.086 miliardë euro vitin e kaluar. Buriloviç njoftoi krijimin e një Komiteti të Përbashkët për Promovimin e Aktiviteteve Ekonomike të Kroacisë dhe Serbisë, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të ministrive kompetente, doganave dhe inspektimeve veterinare dhe fitosanitare.

Kroacia është vend anëtar i BE-së dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duket qartë që në mungesë të hapjes së dyerve të Brukselit, vendet e Ballkanit po përpiqen të gjejnë rrugë alternative, që duken shumë më të pasigurta për shkak të potencialit të kufizuar ekonomik të çdo bashkëpunimi ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe mungesës së perspektivave të anëtarësimit në BE. Më e mira do të ishte që BE-ja të dilte me një plan të qartë dhe realist për të rritur integrimin ekonomik rajonal, duke përfshirë në të edhe ofertën që Ballkani Perëndimor të bashkohet me tregun e vetëm të BE -së në një të ardhme të afërt dhe të parashikueshme./ Abcnews.al