Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka paralajmëruar Bashkimin Europian gjatë një interviste për EuObserver lidhur me ndikimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai madje akuzon Kremlinin se pengon reformat e vendeve të rajonit.
Media e njohur e Brukselit, EuObserver ka publikuar një artikull të gjatë për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor në sajë të samitit të Sofjes. Duke raportuar lidhur me konkluzionet e këtij samiti, thekson se Komisioni Europian ka bërë të qartë se Mali i Zi dhe Serbia mund të anëtarësohen në BE deri në vitin 2025.
“Deklarata e Sofjes prej 9 faqesh më shumë merret me iniciativa të nivelit të ulët, si projekte autostradash dhe aeroportesh, në vend që të bëjë deklarata të forta”, shkruan EuObserver.
Gjithashtu media e Brukselit ka marrë dhe një intervistë të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Zyrtari i diplomacisë shqiptare thotë se përpjekjet e BE-së duhet të garojnë me shtysën e Rusisë në një rrethanë të re gjeopolitike.
“Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në rajon dhe kërkon që të rrëzojë reformat e drejtuara nga BE”, ka thënë Bushati.
Ministri i Jashtëm nënvizon gjithashtu se Perëndimi duhet të ketë kujdes të veçantë për ndërhyrjen e Rusisë në vende si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Gjithashtu akuzon Moskën se është e gatshme të nxisë tensionet nacionaliste në mënyrë që të ngadalësojë rrugën e këtyre vendeve drejt Unionit.
“Nacionalizmi është ushqyer nga palë të treta, Rusia, interesi i të cilëve është destabiliteti sesa stabiliteti. Është një princip i rrezikshëm që ata kërkojnë ta përhapin”, thekson Bushati në intervistë.
Duke folur për raste konkrete të ndërhyrjes së Kremlinit, ministri jep dhe një rast konkret.
“Edhe në Shqipëri [anëtar i NATO-s], ku menduam se ishim imun ndaj ndërhyrjeve të Rusisë, ekziston një hetim mbi pohimet se kundërshtarët tanë politik morën mbështetje financiare [ruse] në shkelje të legjislacionit tonë”, shprehet Bushati.
Gjithashtu ai nënvizon se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka ndihmuar në shmangjen e lojërave të pista mes vendeve të vogla./abcnews.al