Në mesin e pandemisë së Covid-19, Uashingtoni duket si i vdekur. Shumë nga zyrat përreth Shtëpisë së Bardhë janë mbyllur, dhe ato pak restorante në kryeqytetin e SHBA-së që kanë mbetur të hapura janë zakonisht bosh. Bob Uduord, 77-vjeç, po punon gjithashtu nga shtëpia.
Për dekada, ai ka qenë ndër kronikanët më të rëndësishëm të çështjeve politike në kryeqytet. Në fillim të viteve 1970, ai zbuloi skandalin e Uotergejtit bashkë me kolegun e tij Karl Bernshtain për gazetën “The Washington Post”, që çoi në dorëheqjen e presidentit Riçard Nikson në vitin 1974.
Më vonë ka shkruar libra rreth sulmeve terroriste të 11 Shtatorit dhe presidentëve Xhorxh W.Bush dhe Barak Obama. Ai është vlerësuar me dy Çmime Pulitzer. Për librin e tij më të ri “Tërbimi”,që sapo është botuar në gjermanisht, ai intervistoi brenda 10 muajshzyrtarëtë larta të qeverisë amerikane, përfshirë Presidentin Trump. Për shkak të pandemisë,“Der Spiegel” foli me të përmes telefonit.
Në librin tuaj, ju arrini në përfundimin se Trump është njeriu i gabuar për punën e presidentit. Pse?
Sepse ka shumë prova se dështoi në një mënyrë katastrofike në menaxhimin e virusit. Në një takim tepër sekret me Këshilltarin e tij të Sigurisë Kombëtare Robert O’Brajën dhe të tjerët më 28 janar, ai u paralajmërua se po vinte një pandemi, dhe se ajo do të ishte si epidemia e Gripit Spanjoll të vitit 1918 që vrau 675.000 njerëz vetëm në SHBA. 50 milion njerëz vdiqën nga ajo pandemi një shekull më parë. Dhe në vend se t’i tregonte publikut të vërtetën, Trump e fshehu atë.
A keni një shpjegim për sjelljen e tij?
Nga bisedat me shumë zyrtarë pranë tij, unë mendoj se ai nuk e kupton përgjegjësinë e tij si president për të mbrojtur qytetarët, dhe as për të thënë të vërtetën. Dhe ai nuk e kupton përgjegjësinë e tij morale për të kryer detyrat që ka presidenca. Unë njoh disa senatorë republikanë që bien dakord se Trump është njeriu i gabuar për këtë punë, por nuk e thonë dot këtë publikisht dhe heshtin.
Ju keni kryer 18 intervista me Trump. Si shkuan takimet me të në Zyrën Ovale?
Intervista e parë ishte më 5 dhjetor 2019. Unë hyra me magnetofonin tim Olimpus. E ndeza, e vendosura në tryezë dhe i thashë:”Ky është një regjistrim për një libër që do të dalë në shtator ose tetor”, dhe vazhdimisht i thoja se po e regjistroja. Ai e dinte dhe e pranoi këtë. Ai më tregoi disa fotot me Kim Jong Un, për të cilat tha se ishin unike. Në fakt, ishin të njëjta që ishin publikuar ngado në internet.
Në libër ka shumë skena interesante, ku ju përshkruani marrëdhëniet midis Trump dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, duke përfshirë Xhim Matis dhe Resk Tilerson, sekretari i atëhershëm i shtetit, dhe më pas me kreun e Inteligjencës Kombëtare Den Koats. Që tëgjithë ata mbërrijnënë përfundimin se ky president, përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Atëherë pse u vunë në shërbimin e tij?
Epo, ai i rekrutoi ata. Që të tre,Matis, Tilerson dhe Koats, ishin në fundin e karrierës së tyre. Ai u premtoi se do të kishin nën kontroll departamentet e tyre dhe qasjen tek ai. Dhe ky ishte një nga mashtrimet e tij më të mëdha. Trump thjesht i injoroi. Ai jepte urdhra përmes një postimi në Twitter, nuk bënte asnjë mbledhje, asnjë konsultë. Siç thotë diku në libër Matis, qeveria udhëhiqej nga impulsi momental dhe i rrezikshëm i Trumpit. Ky është një dështim i lidershipit.
Ju e zbuluat dikur skandalin e Uotergejtit. A është Trump në ndonjë lloj mënyre i krahasueshëm me Riçard Niksonin?
Nikson ishte një kriminel, dhe ne e shkruam atë në gazetë. Dhe kjo u vërtetua me regjistrimet e tij sekrete. Askush nuk ka provuar deri tani që Trump është një kriminel. Por,
ka shumë pikëpyetje. Kemi hetimin e Myler, impeachment-in, por askush nuk ka vërtetuar kurrë një vepër penale të kryer nga ai.
Trump ka dështuar, mbi të gjitha për ta mbrojtur vendin nga pandemia. Në Vietnam, vdiqën gjithsej 58.000 amerikanë, dhe shumë shpejt pandemia do të ketë shkaktuar 4 herë më shumë vdekje në SHBA.Ishte detyra e presidentit të paralajmëronte njerëzit. Trump nuk e bëri këtë. Përkundrazi, ai e mohoi dhe dështoi të menaxhojë krizën. Dhe nuk ka ende asnjë plan.
Shumë njerëz thonë se demokracia amerikane është në rrezik, dhe se Trump dëshiron të qeverisë si një autokrat. A jeni dakord?
Në libër unë them që dështoi lidershipi, por demokracia po reziston, të paktën për momentin. Ai nuk ka ndërmend që të mbyllë apo censurojë mediat. Shtypi i lirë është ende aktiv. Ne kemi një sistem zgjedhor funksional, megjithëse ai e ka sulmuar edhe atë.
Sondazhet tregojnë se Trump do t’i humbasë zgjedhjet më 3 nëntor…
Por, gjithsesi ka gjasa që të fitojë sërish. Disa njerëz mendojnë se kjo nuk është e mundur. Unë nuk u besoj sondazheve.
A mendoni se Trump nuk do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve, nëse nuk fiton?
Ai e ka thënë këtë gjë. Por kjo mbetet sërish e paimagjinueshme. Një ndër përgjegjësitë e presidentit, është të sigurojë transferimin e pushtetit, integritetin e procesit të votimit, të drejtën më themelore që kanë amerikanët, dhe Trumpi ka shkelur të gjitha këto duke thënë:Ne nuk do ta dimë se kush është zgjedhur”.Ka një nivel të pashembullt kaosi që kërcënon zgjedhjet.
A jeni i shqetësuar mbi të ardhmen e vendit tuaj?
Po. E si mund të mos shqetësohesh në këto rrethana? Ne mund të kemi jetuar në një flluskë në këtë vend për qindra vjet. Po ka pasur disa kohë jashtëzakonisht të vështira dhe të tmerrshme për amerikanët. Ka pasur kriza si vrasja e Kenedit, Vietnami. Tani Trump ka shkatërruar çdo ndjenjë pafajësie. Si mund të rikthehet besimin tek institucionet? E kam fjalën për ne, mediat e lajmeve. Ne jemi shumë mosbesues.
Përktheu Alket Goce-Abcnews.al