Interi mendohet si kundërshtari kryesor i Juventusit në Serinë A. Fitorja 3-0 në fushën e Lacios tregoi se skuadra e trajnerit Luçiano Spaletit është tepër e fortë në kampionatin italian.
Kërkohej reagim dhe ai erdhi. Interi la pas versionin negativ të Championsit, që u turpërua në Barcelonë, duke u shfaqur krejt ndryshe në kampionatin italian. Suksesi 3-0 në fushën e Lacios ishte i tillë që edhe kritikët më të rreptë të skuadrës së trajnerit Luçiano Spaleti, patën vetëm lavdërime. Epërsia ishte e madhe, me epërsi të dy golave që në pjesën e parë, dhe me mbërritjen në vendin e dytë, krah për krah me Napolin, në kuotën 22 pikë.
Zikaltërit vërtet ende nuk shënojnë sa Juventusi apo napolitanët, por janë në përmirësim me 6 fitore radhazi në Serinë A. Padyshim që mund të pretendohet për titull.
“Shikoni se çfarë Interi, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Lacio mposhtet 3-0 në fitoren e gjashtë radhazi, me zikaltërit në vend të dytë”.
“Inter shkakton frikë, – komenton “Il Korriere delo Sport”, – dygolësh vrasës i Ikardit, gol i Brozoviçit dhe ndeshja kurrë në diskutim”.
Trajneri Spaleti është cilësuar “prifti” nga analistë të ndryshëm. Ai foli sërish si i tillë, duke u treguar i kujdesshëm.
“Le të themi se ishte një ndeshje e bukur, duke marrë parasysh gjithçka, ndonëse ne kemi luajtur edhe ndeshje të tjera të mira. Kjo ka ndodhur edhe kur kemi humbur, apo nuk kemi fituar, sepse në futboll gjërat jo gjithnjë shkojnë siç duhet. Pjesa e parë ndaj Lacios ishte vërtet thuajse e përsosur. Arritëm të bënim lojën që donim, të zotëronim topin, ndërsa ruajtëm qetësinë dhe nuk u nxituam. Sot jemi një skuadër më e fortë se vjet, më të ndërgjegjshëm dhe arrijmë të reagojmë edhe kur gjërat nuk na shkojnë mirë”.
Po presidenti më i ri në historinë e klubit, 26-vjeçari nga Kina, Stiven Çan, çfarë mendon për ekipin e tij?
“Kjo ndeshje tregoi se lojtarët tanë kanë zemër të madhe dhe personalitet gjithashtu të madh. Interi jo vetëm fitoi ndeshjen, por sidomos lojtarët e mbështetën njëri-tjetrin. Kjo ndeshje tregoi jo vetëm se kemi lojtarë shumë të talentuar, por edhe që ata punojnë fort në stërvitje. Jam i bindur se do të dimë të konkurrojmë në Serinë A dhe në Champions, edhe ndaj ekipeve si Barcelona. Do të mësojmë nga humbjet dhe do të përmirësohemi”.
Druajtja e vetme e klubit nga Milano është nëse do të dijë të ruajë këtë vazhdimësi deri në fund. Tifozët, për momentin, duan të paktën fitimin e një trofeu të madh, qoftë Championsin apo Serinë A, edhe pse ëndrra mbetet përsëritja e tripletës së Murinjos./abcnews.al