Interi sfidon Slavia Pragë në “San Siro”

schedule22:35 - 16 Shtator, 2019

schedule 22:35 - 16 Shtator, 2019

Interi pret të martën në “San Siro” skuadrën e Slavia Pragë në sfidën e vlefshme për fazën e grupeve të Champions League. Trajneri Conte kërkon një lojë argëtuese për tifozët

Pas tre sukseseve radhazi në kampionat tashmë është koha për të treguar potencialin edhe në Champions League. Skuadra e Interit do të luajë të martën në “San Siro” duelin e parë në Ligën e Kampionëve për këtë edicion. Zikaltërit do të presin në shtëpi Slavia Pragë me synimin e vetëm marrjen e tre pikëve. Trajneri i Interit Antonio Conte kërkon një rezultat pozitiv dhe është optimist për duelin e radhës.

Synojmë të arrijmë një fitore të madhe për tifozët tanë. Duhet të luajmë një futboll të bukur dhe argëtues. Unë e kam fituar më parë Championsin si dhe kam humbur tre finale. E njoh shijen e triumfit dhe disfatës. E di se sa e vështirë është ta fitosh dhe sa e dhimbshme është ta humbasësh një finale Champions League. E kam provuar tek Juventusi. Në Champions episodet vendosin ndeshjen”, tha Conte.

Në lidhje me duelin ndaj Barcelonës në grup, Conte parashikon një ndeshje spektakolare.

Ndaj Barcelonës do të jetë një ndeshje magjepsëse. Motivimi do të jetë maksimal. Mendoj se ata do të jenë të lumtur që do të përballen me ne. Duhet të luash ndaj skuadrave të mëdha për t’u rritur. Kemi bërë një nisje të mirë këtë sezon, por kemi ende shumë punë dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Na duhet një pune e madhe për të bërë të lumtur tifozët tanë”, tha Conte.

Në radhët e Interit është në dyshim sulmuesi Lukaku, i cili pësoi një lëndim në ndeshjen ndaj Udinese-s./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!