Interi ia doli të fitojë edhe në transfertën e Kaljarit me rezultatin 2-1. Martinez dhe Lukaku ishin autorët e golave për zikaltërit, të cilët kryesojnë kampionatin Italian me pikë të plota në dy ndeshjet e para.
Inter rikonfirmohet në krye të Serisë A. zikalterit kaluan me vështirësi pengesën e Kaljarit me golat e dyshes sulmuese Martinez-Lukaku. Një transfertë delikate për Interin që vinte në këtë përballje pas fitores katër me zero në takimin e parë. Trajneri Konte ka instaluar në skuadër grintën dhe dëshirën që mungonte prej disa sezonesh me radhë. Mesfushori Sensi asiston për Martinez, i cili realizon në limitet e pozicionit jashtë loje duke detyruar arbitrin Mauricio Mariani të konsutlohej me asistentët në dhomën e VAR. Zikaltërit u drejtohen dhomave të zhveshjeve në avantazh të një goli, ndërkohë që fraksioni i dytë nis me një tjetër marsh për vendasit. Kaljari vendos baraspeshën me Zhoa Pedro në minutën e ‘50 duke lënë të palëvizur gardianin Handanoviç, i cili person golin e parë sezonal. Gjithsesi Interi nuk e ka thënë fjalën e fundit, pasi në minutën e 72 blerja më e bujshme në merkaton verore për Interin, Romelu Lukaku shndërron në gol një penallti të fituar nga mesfushori Sensi dhe i jep tre pikët e radhës zikaltërve. Pak minuta më pas belgu për pak sa nuk shënoi golin e dytë personal, por topi shkon jashtë kuadradit.
Pas ndeshjes trajneri Konte u shpreh se ishte i lumtur me paraqitjen e futbollistëve në një transfertë të vështirë si ajo e Kaljarit.
“Hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm përpara. I paralajmërova futbollistët se do të ishte një ndeshje e vështirë dhe ashtu rezultoi. Kjo fitore do të na shërbejë për ndeshjet e radhës, pasi të jep shumë moral.
Duhet përmirësuar mentaliteti. Kemi futbollistë me ekperiencë dhe kjo është pozitive”.
Ndeshjen e radhës skuadra e Interit do ta luajë ndaj Udinezes në “San Siro”. /ABC News Albania 24/7