Mançester Junajtidi mundi 1-0 Interin në ndeshjen e luajtur në Singapor, ndërsa të dy klubet janë aktivë në tregun e futbollit. Italianët duan sulmuesin Lukaku, por anglezët i kanë refuzuar ofertat.
Dueli ishte thuajse tërësisht i njëanshëm. Mançester Junajtidi nuk e pati shumë të vështirë fitoren ndaj Interit në Kupën Ndërkombëtare të Kampionëve, duke përfituar edhe nga fakti se Premier Liga nis plot 2 javë më shpejt se Seria A.
Diferenca në rezultat ishte vetëm një gol shënuar nga i riu Mejzën Grinud, ndërsa në fushë dizniveli ishte shumë më i lartë.
“Djajtë e kuq” patën epërsi dërrmuese në gjuajtjet drejt portës e në kuadrat, në zotërimin e topit, në pasime dhe në dyluftime, ndërsa të dyja skuadrat kërkojnë të ndryshojnë në krahasim me sezonin e kaluar”.
Interi dëshiron të jetë pretendent për titull në Itali, ndonëse nuk dihet sesa mund të sfidohet Juventusi.
“Jam i lumtur me përpjekjet e lojtarëve, – tha trajneri Konte pas ndeshjes – kjo është shumë e rëndësishme, ndërsa nuk ishte e lehtë të luaje përballë Junajtidit. Ne jemi pak më prapa me përgatitjen, me vetëm 9 ditë stërvitje, dhe jemi më të lodhur. Gjithsesi, duhet të bëjmë më shumë, pasi gabojmë në qarkullimin e topit, dhe në presionin ndaj kundërshtarit. Për Lukakun kam shpresë, ndonëse nuk dua të flas shumë”.
Interi do të ndeshet me Juventusin në 24 korrik, ndërsa Konte shpreson të marrë sa më shpejt sulmuesin Romelu Lukaku, pikërisht nga Mançester Junajtid.
Nuk është e lehtë gjithsesi, pasi klubi anglez refuzoi 65 milionë euro, duke kërkuar plot 85 milionë.
Junajtid ka planet e tij, dhe trajneri Ole Gunar Solskjer kërkon në të ndërtojë një skuadër të madhe.
Anglezët dëshirojnë të marrin sa më shumë të ardhura nga kartoni i Lukakut, për të marrë yje të tjerë, si mbrojtësin Megajer apo sulmuesin e Lilës, Pepe.
Solskjer thotë se Junajtidi duhet të mbështetet tek të rinjtë, por edhe të ketë lojtarë të mëdhenj, ashtu si në kohën e Sër Aleks Fergusonit, ndërsa konkurrenca është shtuar.
Ai po bën të pamundurën që të mbajë në skuadër Pol Pogbanë, duke qenë i gatshëm për t’i dhënë kampionit të botës edhe shiritin e kapitenit.
Lajm i mirë për tifozët e Junajtidit është rinovimi i kontratës nga portieri David De Gea.
Ylli 28-vjeçar i Spanjës pranoi të vazhdonte karrierën në “Old Traford”, veçse u bind edhe nga një ofertë e jashtëzakoshme, që do t’i japë 110 milionë paundë stërlina, apo mbi 120 milionë euro në 6 vjet, duke u bërë portieri më i paguar në botë, dhe një nga lojtarët me rrogën më të madhe në rruzull. /ABC News Albania 24/7