Interi është prapa me perforcimet

schedule17:45 - 20 Korrik, 2019

schedule 17:45 - 20 Korrik, 2019

Trajneri i Interit, Antonio Konte, është i pakënaqur nga drejtuesit. Ai kërkon patjetër sulmuesin Romelu Lukaku, por ai ende nuk ka ardhur nga Mançester Junajtidi.

Nuk është e lehtë të ngresh kokë në këtë klub. Quhet Inter, ka emër të madh, por trajnerët sikur pësojnë magji të zezë kur ulen në stolin e tij, dhe Antonio Konte po e shpreh që tani pakënaqësinë e tij.

Ish-tekniku i Juventusit, Italisë e Çelsit, nuk është aspak i kënaqur me gjendjen aktuale të skuadrës, pasi kërkon më shumë lojtarë.

“Nuk është e lehtë të gjendesh në këtë situatë, me kaq lojtarë sa kam në dispozicion, – u shpreh Konte, – është turne i lodhshëm, duhet luajtur çdo tri ditë, ndaj Mançester Junajtidit, Juventusit dhe Paris SG. Jemi pak në vështirësi”.

Konte, që po përpiqet të bëjë gati skuadrën për titullin kampion, pohon se dëshiron Romelu Lukakun nga Junajtidi.

“Lukaku për momentin është lojtar i Junajtidit dhe duhet të tregojmë respekt, – tha ai, – e kam kërkuar edhe më parë tek Çelsi, do të më pëlqente ta kisha edhe tani, por nuk duhet të flasim për këtë, sepse është tek Junajtidi”.

Anglezët kërkojnë gati 100 milionë euro, ndërsa Interi është gati të japë rreth 65-70 milionë euro, plus 20 milionë të tjera në formë shpërblimesh të ndryshme.

Ish-ylli I Interit, Fulvio Kolovati, kampion I botësv me Italinë në 1982, e quan të gabuar deklaratën publike të Kontes, sepse sipas tij vendos nën presion drejtuesit zikaltër.

Kolovati mendon se në vend të Lukakut do të ishte më mirë Duvan Zapata i Atalantës, ndërsa thekson se po të ishte në vend të Kontes, do të paguante 15 milionë euro për të marrë Edin Xhekon nga Roma.

Zapata shënoi 23 gola në 37 ndeshje edicionin e kaluar në Serinë A, dhe 28 gola gjithsej në sezon, duke qenë zbulimi i kampionatit. Xheko mbetet një objektiv I Interit, edhe pse sot shënon më pak gola se dikur, por Roma nuk ka ndërmend të lejojë të largohet 33-vjeçarin boshnjak nëse nuk gjen një sulmues tjetër.

Konte, ndërkaq, e bëri të qartë se ish-kapiteni Mauro Ikardi mbetet jashtë planeve të tij, po ashtu si edhe Raxha Naingolan, ndonëse ky i fundit është në përbërje të Interit në turneun në Australi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!