Interi dhe Roma patën frikë nga humbja, duke i prishur punë njëra-tjetrës në synimet për titullin kampion në Itali. Barazimi në “San Siro” nuk i la të kënaqur dy trajnerët.
Fillimi i ndeshjes mezi pritej për të bërë kthesën.
Nuk vonoi aspak të niste sfida në “San Siro”, por ajo nuk shkoi ashtu siç deshi Interi.
Nuk është se mungoi dëshira, as përpjekjet për të fituar dhe rastet për të shënuar, por seria prej 6 ndeshjesh pa sukses vazhdoi.
Vendasit, të cilësuar si pretendentë kryesorë për titull disa javë më parë, u përpoqën të ktheheshin sërish të tillë, veçse nuk ia dolën, duke mos pasur as edhe fat.
Pretenduan edhe penallti nga gjyqtari, dhe ndoshta mund të kishin merituar të paktën një, por nuk ia akorduan.
Mungesa e fatit u duk qartë te goli i pësuar, ndërsa mbrojtja zikaltër nuk ishte në nivelin që kërkohej.
Roma kaloi në epërsi nga gafa e Davide Santonit, por nuk mund të fajësohej vetëm ai për problemet interiste në prapavijë.
El Sharaui e shfrytëzoi mirë atë gabim, dhe goli padyshim që u pëlqeu shumë legjendave Toti e De Rosi, në tribunën e “San Siros”.
Gjithsesi, atyre nuk besohet se u pëlqeu loja e kryeqytetasve pas pushimit, kur Interi ushtroi presion dhe ishte sërish I pafat.
Ikardi, Eder, Perishiç apo Borha Valero padyshim e ndjenë presionin dhe e patën të vështirë të gjenin kuadratin.
Kjo lojë e futbollistëve të tij bëri që trajneri Luçiano Spaleti, të ishte I qetë me ndërgjegjen e tij, në konferencën pas përfundimit.
Spaleti: “Shkova të përshëndesja të gjithë lojtarët e Romës, me të cilët kam punuar dhe më kanë dhënë shumë, në një nga periudhat më të bukura të jetës sime. Përsa I përket ndeshjes, më vjen keq që nuk fituam, sepse e meritonim. Portieri I tyre bëri pritje të rëndësishme, ndryshe nga portieri ynë, pra ne luajtëm mirë. Gjithsesi, nuk ishte e lehtë, pasi Roma është një skuadër aggresive dhe me lojtarë shumë të fortë. Duhet të dimë të luftojmë ndaj ekipeve të tyre për të qenë në katërshen e parë të renditjes”.
Gjithsesi, mallkimi interist nuk vazhdoi deri në fund, dhe u desh një shënues i pazakonshëm për të shpëtuar të paktën barazimin, Matias Vesino.
Pas golit të uruguajanit, trajneri I Romës, Di Françesko u tregua i sinqertë.
Di Françesko: “Për mendimin tim, luajtëm shumë mirë në pjesën e parë, dhe po ashtu deri në minutën e 65-të apo 70-të, por për fat të keq nuk u treguam të zotë për të shënuar më shumë gola. Gjithsesi, patëm lojtarë me probleme fizike, dhe nuk pata mundësi të bëja asnjë ndryshim. Nuk kisha asnjë mesfushor në stol. E gjitha kjo bëri që të ishim dobët në minutat e fundit, qoftë për fajin tonë, qoftë për meritën e Interit”./abcnews.al