Interi dominon derbin me Milanin

schedule08:19 - 22 Tetor, 2018

schedule 08:19 - 22 Tetor, 2018

Interi fitoi duelin me Milanin dhe e meritoi fitoren. Gjithsesi, ia doli vetëm në sekondat e fundit, falë golit të kapitenit Mauro Ikardi.

Ishte një derbi, por i takoi plotësisht vetëm njërës skuadër.

Interi dominoi përballjen me Milanin në stadiumin “San Siro” të Milanos, dhe meritoi të fitonte, ndonëse këtë e arriti vetëm në fund.

Në një sfidë që pritej më e ekuilibruar, zikaltërit ishin ata që luajtën më mirë, që krijuan raste dhe që nuk patën fat disa herë.

U duk qartë se e kishin përballuar më mirë trysninë e një dueli të tillë, ndër më të mëdhenjtë në botë.

Formacioni i trajnerit Luçiano Spaleti tregoi sërish se këtë vit do të jetë një pretendent për titull në Serinë A, ndërsa tashmë e ka lënë pas nisjen e keqe të sezonit.

Milani i Gatuzos, në të kundërt, ishte një zhgënjim.

Pavarësisht se këtë vit po luan më mirë sesa në të kaluarën, sërish i mungoi pjekuria dhe karakteri I duhur për nivele të tilla.

Thuajse nuk gjuajti asnjë herë në portën kundërshtare, diçka që rrallë mund të ketë ndodhur vitet e kaluara në ndeshjet derbi.

Gjithsesi, mund të kishte marrë barazimin, por në minutën e 92-të, portieri Donaruma gaboi, duke I dhënë mundësi kapitenit të Interit, Mauro Ikardi, që të shënonte golin e fitores.

Pas këtij suksesi, Interi u ngjit në vend të tretë në Serinë A me 19 pikë, 6 pikë prapa Juventusit kryesues.

Milani mbeti prapa, në nivelin e 13 pikëve. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!