Interi ia doli të merrte një pikë në Derbin e Italisë të zhvilluar në fushën e Juventusit, për Serinë A. Vendasit krijuan më shumë raste, por nuk arritën të shënonin asnjë gol.
Kaloi një provë të madhe në rrugën drejt një titulli të mundshëm
Barazimi në fushën e kampiones në fuqi është gjithnjë një rezultat i madh, pavarësisht sesi arrihet dhe Interi i trajnerit Spaleti nuk do të gjykohet aspak për lojën, nëse në fund të sezonit realizon objektivin.
Derbi i Italisë në Torino nuk ishte një nga ndeshjet më të bukura të Serisë A, por padyshim një nga më të rëndësishmet dhe tregoi se këtë sezon Juventusi nuk mund të ndryshojë situatën në përballjet vendimtare.
Vetë fakti që Interi mori rezultat në një fushë ku gjithnjë është thyer, është tepër i rëndësishëm.
Vendasit patën epërsi në raste edhe pse jo gjithnjë në lojë, por e patën të pamundur të shënonin qoftë edhe një gol.
Në një përballje të fortë fizike, juventinët u dukën më të rrezikshëm para portës së miqve, por sulmuesi kroat, Mario Manxhukiç, nuk pati fat as në pjesën e parë, dhe as pas pushimit.
Interistët protestuan fort për një prekje me dorë të Benatias në zonë, që ata e kërkuan penallti.
Prekja me dorë ishte, ndërsa gjyqtari e quajti të pavullnetshme, madje as nuk denjoi që të kërkonte ndihmën e teknologjisë VAR.
Skuadra e Spaletit mori atë që deshi, ndonëse jo në mënyrë edhe aq bindëse.
Mbajti shumë topin, bëri edhe shpesh presion, por thuajse nuk krijoi asnjë rast të rrezikshëm.
Sidoqoftë, ishte sukses që nuk pësoi gol në fushën e ekipit që shënon më shumë gola në Serinë A, ndërsa e mbajti Juventusin 2 pikë larg në renditje./abcnews.al