Interi, barazim me polemika në fushën e Fiorentinës

schedule12:00 - 25 Shkurt, 2019

schedule 12:00 - 25 Shkurt, 2019

Polemika dhe tension i lartë pas barazimit të Interit në Serinë A. Milanezët akuzuan gjyqtarin, por patën sërish probleme për shkak të ish-kapitenit Ikardi.

Nuk mund të kalojë kohë të qeta kjo skuadër. Himni thotë se Interin “e çmendur” duhet ta dashurosh, por për tifozët kjo dashuri ka gjithnjë dozën e madhe të vuajtjes.

Tronditja e radhës erdhi në ndeshjen e Serisë A, të barazuar 3-3 në fushën e Fiorentinës, me golin e fundit të vendasve që erdhi në minutën e 101-të, dhe që është rrjeta më e vonshme e shënuar në kampionatin italian, të paktën që kur nisën të mbahen statistikat në vitin 2004.

Ishte penalltia e dhënë kundër Interit që shkaktoi polemika. Pamjet filmike treguan se D’Ambrozio nuk e preku topin me dorë, por gjyqtari Abiso nuk preferoi as të këshillohej me VAR-in.

“La Gazetta dello Sport” bën lojë fjalësh me mbiemrin e gjyqtarit Abiso: Inter, një greminë zemërimi! Penallti për vjollcët në minutën e 101-të, shpërthen Spaleti!

“Vetëm një i intoksikuar mund të thotë se D’Ambrozio e preku topin me dorë, – ishin fjalët e trajnerit të Interit, Luçiano Spaleti, – Ai e preku topin me gjoks. VAR-i prandaj ekziston që ta ndihmojë arbitrin, por ai nuk e kërkoi ndihmën e tij. Një penallti e tillë dëmton gjithë sezonin”.

Gjyqtari pati standard tjetër në dy momente të tjera, kur u këshillua me VAR-in, herën e parë për t’i dhënë penallti Interit, dhe herën e dytë për të anuluar një gol të Fiorentinës.

Zikaltërit pësuan gol shpejt, por reaguan duke arritur kryesimin deri në 3-1. U duk se ndeshja do të fitohej, por Muriel shënoi një gol të madh për Fiorentinën, duke rihapur sfidën, ndërsa në fund u dha 11-metërshi shumë i diskutuar. Gjithsesi, edhe në Firence pati një episod që shkaktoi polemika.

Politano festoi si Ikardi pasi shënoi golin e dytë, dhe kroati Perishiç, një nga ata që nuk shkonte mirë me ish-kapitenin, ia prishi festimin duke i thënë disa fjalë. Nuk mungoi reagimi i gruas dhe menaxheres së Ikardit, Uanda Narës, e cila reagoi në televizion dhe në rrjetet sociale.

“Sa padrejtësi për Ikardin! Po trajtohet sikur të ishte një monstër!”, – ishin fjalët e saj.

Administratori i deleguar sportiv i Interit, Bepe Marota, gjithsesi, tregohet i qetë.

“I kemi ofruar kontratën e re Ikardit, – u shpreh ai, – nuk është se ka ndonjë afat, por presim përgjigjen e tij. Kemi biseduar me Uandën”.

Për sulmuesin argjentinas dhe mendimin e tij, gjithnjë me peshë, edhe Luçiano Moxhi.

“Besoj se Ikardi do të shkojë tek Juventusi, – u shpreh ish-drejtuesi i lartë juventin, i dënuar prej vitesh, – të ishte për mua, nuk e merrja edhe sikur të ma jepnin falas”.

Me probleme në fushë dhe jashtë saj, sezoni i Interit duket tepër i vështirë, dhe skuadra zikaltër rrezikon të humbasë vendin e tretë në favor të Milanit, madje edhe zonën Champions, nëse arrihet nga Roma./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!