“Interesohesha për shpërthim në Gërdec sepse…”, zbardhet dëshmia e Shkëlzen Berishës në GJKKO

schedule10:44 - 27 Dhjetor, 2023

schedule 10:44 - 27 Dhjetor, 2023

Shkëlzen Berisha u paraqit këtë të mërkurë për herë të parë para GJKKO, për të dëshmuar mbi tragjedinë e Gërdecit. Gazetari Ermal Vija ka siguruar për ABC News, dëshminë e djalit të ish kryeministrit Berisha para trupit gjykues.

“2007-2008 kam punuar disa muaj në kompaninë “Eagle Mobile”. Kam qenë jashtë Shqipërisë kur ka ndodhur ngjarja. Ose nëpërmjet medias ose nëpërmjet familjarëve e kam mësuar ngjarjen. Me Aldo Bumçin njihem. Kam marrëdhënie miqësore për shkak për shkak të përfshirjes në politikë. Që prej 2004 e njoh. Bisedat me të kanë qenë personale. Nuk kemi patur biseda për ndonjë VKM. Nuk njoh njeri as kush e ka shkruar as kush e ka marrë faksin. Nuk kam bërë asnjë padi por jam në dijeni se Bumçi e ka bërë një të tillë. Me Mediun njihem prej 1994. Kam marrëdhënie personale e miqësore. Nuk kam patur biseda për demontim me Mediun. Kam patur një bisedë me Mediun ditën e ngjarjes, ka qenë bisedë personale për sëmundje (një anëtar i familjes së tij). Nuk kam patur zhvilluar bisedë tjetër përveç kësaj.

Mihal Delijorgjin e njoh si sipërmarrës. E kam takuar vetëm një herë në 2008, pasi një klient donte të blinte një objekti te kompleksi i tij. Për këtë çështje kam patur disa telefonata me të. Nuk e dija se me çfarë merrej konkretisht Delijorgji. 44 telefonata nga janari deri në mars, nuk kanë qenë telefonata për aktivitetin e tij në Gerdec.

Mihalin e mora në telefoj kur ndodhi shpërthimi, për shkak se një familjar më kërkoi të interesohesha për shpërthimin pasi dikush i familjes së tij punonte aty”.mësohet të jetë shprehur ai.

Sakaq pyetjes së SPAK lidhur me telefonatat e bëra me Fatmir Mediun, asokohe ministër i Mbrojtjes, pas shpërthimit Shkëlzen Berisha thotë se ka biseduar me të vetëm për cështje familjare.

“Nuk mbaj mend ndonjë bisede me Mediun pas ngjarjes përveç çështjeve familjare”

Sakaq Jorgo Mingo ushtarak dhe Ndue Marku jurist nuk pranuan të dëshmojnë pasi ushtruan të drejtën e tyre për të mos folur, duke qenë se janë dënuar në procesin e parë të Gërdecit, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Seanca e rradhës u vendos të mbahet më 10 janar në orën 9:00./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!