Marseille zhvilloi një sezon shumë të mirë nën drejtimin e Villas-Boas, u shpall nënkampione e Francës dhe u sezonin e ardhshëm do të rikthehet të luajë pas shumë kohësh në Champions League.
Teksa skuadra franceze ka shkëlqyer në fushën e blertë, problemet jashtë saj janë të mëdha. Klubi i vetëm francez që ka fituar Champions League (në 1993 kundër Milanit) po kalon një krizë financiare dhe presidenti Jacques-Henri Eyraud është gati të shesë klubin.
Të interesuarit nuk mungojnë dhe njëri prej tyre është Mohamed Ayachi Ajroudi. Biznesmeni, i cili është rezident në Arabinë Saudite, dëshiron t’i futet botës së futbollit dhe e sheh Marseille si një opsion fantastik.
68-vjeçari ka pranuar për Le Figaro se është i interesuar për blerjen e klubit të njohur, teksa zbulon edhe ëndrrën e tij të madhe. “Jam i interesuar për Marseille. Më pëlqen futbolli, më pëlqen shumë disiplina gjermane, sidomos ajo e Bayern Munchen.
Më pëlqen edhe stili i futbollit që luan Barcelona. Futbollist të preferuar kam Cristiano Ronaldon, prej disiplinës dhe respektit që mishëron. Në jetë gjithçka është e mundur, kështu që ëndërroj blerjen e tij te Marseille, më emocionon një ëndërr e tillë“, deklaron Ajroudi. /abcnews.al