Interesat që fshihen pas ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën

schedule10:46 - 17 Gusht, 2022

schedule 10:46 - 17 Gusht, 2022

Nga Wolfgang Streeck “Internazionale

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në vitin 2021, një vit përpara se të pushtonte Ukrainën, Rusia shpenzoi 65.9 miliardë dollarë për ushtrinë, ose 4.1 për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB). Gjermania, me një popullsi prej pak më shumë se gjysma e asaj ruse, shpenzoi 56 miliardë dollarë, ose 1.3 për qind të PBB-së.

Vendet e tjera shpenzuan: Britania (2.2 për qind të PBB) 68.4 miliardë dollarë, Franca 56.6 miliardë (1.9 për qind) dhe Italia 32 miliardë (1.5 për qind). Në total, 4 shtetet më të mëdha në Evropë shpenzuar 3 herë më shumë se Rusia.

Ndërkohë shpenzimet ushtarake të SHBA-së, të barabarta me 38 për qind të totalit botëror, ishin 12 herë më shumë se ato të Rusisë. Informacioni në lidhje me shpenzimet ushtarake është më pak i besueshëm sesa për shembull temperaturat e motit. Por nëse të dhënat e ofruara nga instituti më i njohur kërkimor në këtë sektor janë qoftë edhe përgjysmë të sakta, pushtimi rus na nxit të pyesim se përse një fuqi dukshëm më e dobët, donte të rrezikonte përballjen me një bllok kaq shumë të fortë.

Rusia sulmoi nga pozita të dobëta. Sipas disa ekspertëve ushtarakë, forca e saj pushtuese në shkurt 2022, e vlerësuar në 190.000 trupa, ishte shumë e vogël. Për të arritur qëllimin e saj të supozuar, pra pushtimin e Ukrainës (një vend me 40 milionë banorë, dhe me sipërfaqe gati sa 2-fishi i asaj të Gjermanisë), forca pushtuese ruse do të duhej të ishte të paktën dyfishi.

Dhe nëse në vitin 2021 buxheti i mbrojtjes i Ukrainës arriti në më pak se 6 miliardë dollarë (3.2 për qind të PBB-së së njërit prej vendeve më të varfra në Evropë), që nga viti 2012 ai ishte rritur me 142 për qind: shkalla më e lartë e rritjes midis 40 vendeve me shpenzimet ushtarake më të mëdha.

Kjo rritje ndodhi falë ndihmës ushtarake të SHBA-së, për të nxitur të ashtuquajturin “ndërveprim” midis dy ushtrive. Një objektiv i arritur në vitin 2020 sipas burimeve të NATO-s. Në praktikë, ndërhyrja e SHBA-së e ka shndërruar Ukrainën në një vend de facto të NATO-s, edhe pse jo zyrtarisht.

Që në fundin e viteve 1990, Uashingtoni u kishte kërkuar anëtarëve evropianë të NATO-s të shpenzonin më shumë për forcat e tyre të armatosura, siç kishin filluar të bënin vetë Shtetet e Bashkuara. Objektivi prej 2 për qind të PBB-së u diskutua për herë të parë samitin e Pragës në vitin 2002.

Sapo kishin ndodhur sulmet e 11 shtatorit, kishte nisur “lufta kundër terrorizmit”, ishte i afërt pushtimi i Irakut, dhe pak më vonë anëtarësimi i shteteve të Evropës Lindore në NATO. Këto vendime i dhanë fund bisedave të mëparshme mbi Shtëpinë e Përbashkët Evropiane (një ide e udhëheqësit Mikhail Gorbachev) dhe Aleancën për Paqe (të krijuar nga presidenti amerikan Bill Clinton), e cila përfshinte edhe Rusinë.

Ishin rikthyer në kufijtë e Luftës së Ftohtë mes Evropës Perëndimore dhe Lindore, kjo e fundit tashmë e përfaqësuar vetëm nga Rusia. Objektivi prej 2 për qind për shpenzimet ushtarake u miratua zyrtarisht në samitin e Rigës të vitit 2006. Pas revolucionit të Maidanit në Kiev dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014, aleanca rinovoi strategjinë e saj.

Ndërsa Franca dhe Britania e Madhe kishin shpenzuar prej kohësh 2 për qind për mbrojtjen, Gjermania kishte shpenzuar vetëm 1 për qind gjatë viteve 2002-2018, vetëm për të filluar një rritje të moderuar, duke arritur në 1.34 për qind në 2021. Kjo ndodhi për disa arsye, si për shembull, burokracia e madhe në fushën e prokurimeve dhe pacifizmi i supozuar i rrënjosur në elektoratin gjerman pas dy konflikteve botërore.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Gjermania është përpjekur të justifikojë mosveprimin e pretenduar të Bundeswehr-it (forcat e armatosura) gjatë 20 viteve të fundit. Pas 24 shkurtit, asaj iu desh të ndryshojë kursin, edhe për ta penguar Rusinë të sulmonte vendet e tjera evropiane: jo vetëm Poloninë dhe shtetet baltike, por edhe Finlandën dhe Suedinë.

Tre ditë pas fillimit të pushtimit rus, më 27 shkurt, kancelari Olaf Scholz thirri një seancë të jashtëzakonshme të Bundestagut, gjatë së cilës ai tha se kjo ngjarje ishte një“zeitenwende”   (një pikë kthese epokale), pas së cilës asgjë nuk do të jetë më si më parë. Ajo kërkonte që Gjermania të përmirësonte ushtrinë e saj në përputhje me pritshmëritë e aleatëve, duke mbajtur premtimin për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

Kështu Scholz shpalli një manovër të jashtëzakonshme fiskale: krijimin e një fondi special ( Sondervermögen) prej 100 miliardë eurosh të destinuara vetëm për shpenzimet ushtarake, të financuara me borxhe dhe të përfshira në kushtetutë. Fondi i posaçëm u krijua jashtë buxhetit të zakonshëm me një amendament kushtetues, të miratuar edhe me pëlqimin e opozitës.

Edhe Franca po sheh mundësinë e krijimit të një fondi special, si një mundësi për të marrë drejtimin në industrinë evropiane të mbrojtjes, duke bërë bashkë prodhuesit francezë dhe ata gjermanë, dhe duke i shndërruar ata në lojtarë globalë mjaft të fortë për të konkurruar me homologët e tyre amerikanë, përsëri kot.

Furnizimet gjermane me armë për Ukrainë kanë qenë të ngadalta, dhe ndoshta një nga arsyet është frika se mos bëhen objektiv i Putinit. Tek e fundit, nga fuqitë e mëdha të NATO-s të përfshira në ndihmën ndaj Kievit, Gjermania është më e afërta me zonën e luftës dhe me vetë Rusinë.

Po ashtu ajo nuk ka armë bërthamore, ndërsa tanket dhe artileria e rëndë që transportohen në Ukrainë në rrugë tokësore mund të kapen lehtësisht përpara se të arrijnë në destinacion. Shumica e komunitetit gjerman të ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare hesht për këtë pikë, dhe mediat kryesore e anashkalojnë.

Por më 18 maj, e përditshmja “Frankfurter Allgemeine Zeitung” publikoi një letër drejtuar redaktorit të një prej ekspertëve më të rëndësishëm të së drejtës ndërkombëtare, Jochen Abraham Frowein. Eksperti konservator argumentoi se edhe vetëm duke e furnizuar me armë Ukrainën, Gjermania mund të bëhet “pjesë e një konflikti të armatosur”, pavarësisht nga neni 2 i Kartës së OKB, i cili ndalon luftërat e agresionit.

Sipas Frowein, kjo nënkupton se “forcat ushtarake gjermane, edhe ato në tokën gjermane, mund të sulmohen nga Rusia, dhe për këtë arsye shqetësimi i qeverisë federale për statusin e partisë së saj të luftës është plotësisht i justifikuar”. Dhe kërkesat e Ukrainës për armë të rënda nuk janë aspak modeste.

Një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelenski tha në mesin e qershorit se për të fituar luftën, vendit do t’i duheshin të paktën 1 mijë topa të kalibrit 155 mm, 300 raketahedhës të shumëfishtë, 500 tanke, 2 mijë mjete të blinduara dhe 1 mijë dronë. Kjo sasi armësh i tejkalon shumë 7 topat dhe 4 raketa-hedhësit që i dërgoi Gjermania Ukrainës, në bashkëpunim me Holandën.

Shtetet e Bashkuara kanë baza ushtarake në 85 vende të botës, ndërsa Rusia ka vetëm 8 baza në vendet fqinje dhe në Siri. Kjo konfirmon se amerikanët janë në gjendje ta furnizojnë Ukrainën vetë me sasinë e madhe të armëve që ajo ka kërkuar. Dhe së fundi administrata Biden i kërkoi Kongresit të miratojë një ndihmë ushtarake shtesë prej 40 miliardë dollarë për Ukrainën për këtë vit.

Fakti që Shtetet e Bashkuara po përpiqen të përfshijnë vende të tjera brenda dhe jashtë NATO-s – rreth 40, disa prej tyre shumë të vogla – duket se i shërben mbi të gjitha qëllimeve politike, për të demonstruar unitetin e një “Perëndimi të ringjallur” nën udhëheqjen amerikane.

Po kështu, amerikanët synojnë ta shpërndajnë përgjegjësinë, në mënyrë që askush të mos e mohojë më pas përfshirjen e tyre dhe nëse shkon kaq larg, të mbetet i sigurt nga kundërsulmet ruse. Në fakt furnizimi me sasi të mëdha armësh, mund ta bëjë automatikisht një vend palë në luftë, dhe për këtë arsye të përjashtojë një ndërmjetësim të mëvonshëm midis palëve ndërluftuese.

Një aspekt tjetër strategjik i armatosjes së Ukrainës ka të bëjë me objektivat e luftës dhe masën në të cilën aleatët e saj mund të kenë të drejtën e fjalës në negociata. Sa më shumë armë të rënda të marrë Ukraina, aq më ambicioze mund të bëhen qëllimet e saj politike.

Nën ndikimin e ekstremit të djathtë nacionalist, qeveria aktuale ukrainase është larguar nga Protokollet e Minskut të 2014 dhe 2015, që parashikonin neutralitetin e Ukrainës, autonominë rajonale të provincave të saj rusisht-folëse, dhe negociatat e ardhshme për statusin e gadishullit të Krimesë.

Për Evropën, nuklearizimi i luftës në Ukrainë do të ishte një katastrofë, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të vuanin shumë pak. Sado e frikshme që mund të jetë për popullin ukrainas, lufta aktuale në Donbass është vetëm një detaj dytësor i një tabloje shumë më të gjerë: ajo e konfrontimit gjithnjë e më të afërt midis një hegjemoni global në rënie dhe atij në rritje.

Detyra e Evropës është ta parandalojë Rusinë që të përfitojë nga fakti që Shtetet e Bashkuara e kthejnë vëmendjen e saj në zona të tjera të botës. S’ka asnjë garanci se nuk do të ketë një luftë bërthamore në Evropën Perëndimore.

Pyetja gjithnjë e më urgjente që duhet t’i përgjigjen vendet evropiane është: A dëshiron vërtet Evropa ta ndihmojë Uashingtonin në betejën e ardhshme me Kinën? Kjo është pyetja me të cilën Scholz, Emmanuel Macron dhe krerët e tjerë të qeverive evropiane duhet të përballen para se të jetë tepër vonë. /abcnews.al

Marrë me shkurtime