Ishte beteja më e madhe e mbrëmjes. Përtej polemikave, ishte konfirmimi se ky Inter ka një problem të madh.
Fitorja e Liverpulit në “San Siro”, në xhiron e gjashtë të Championsit, tregoi sërish se skuadra zikaltër nuk di t’i mundë rivalët e mëdhenj, për më keq, pëson disfata.
I ka ndodhur me Milanin, me Juventusin, me Napolin, me Atletikon dhe tani me të kuqtë nga Anglia.
Italianët protestuan për penalltinë e dhënë në fund, dhe kthyer në gol nga hungarezi Soboslai dy minuta para mbylljes.
Ideja ishte që kapja nga fanela ishte e lehtë, por ajo që bëri Interi në fushë ishte pak, siç pohojnë mediat në Apenine.
“Inter, nuk shkon”, bën lojë fjalësh “La Gazeta delo Sport”, që e lidh fjalinë me fjalën “VAR”: Liverpul kalon me një penallti të vogël! Zikaltërit bënë pak!”
“Il Korriere delo Sport” titullon: Goditje e shëmtuar! Humbja e dytë radhazi, Liverpul fiton me penallti. Interi humbi tri herë: ndeshjen, Çalhën dhe Açerbin!”
Në një ndeshje që në pamje të parë u duk e barabartë, ekipi I trajnerit Arne Slot, ishte shumë më I rrezikshëm, me më shumë goditje në kuadrat, më shumë raste.
Jo më kot, portieri zikaltër Zomer ishte lojtari më I mirë I ndeshjes.
E përditshmja “Liverpul Eho” shkruan: Mohamed Salah sheh se rolin e tij e ka zënë dikush tjetër, ndërsa Arne Slot mori mesazhin që priste!”
“Deili Meil” komenton se fitorja në “San Siro” nuk ishte aq e bukur, por ishte tepër e rëndësishme në momentin e krizës, dhe se lojtarët janë në mbështetje të trajnerit!
Liverpul duket se e kaloi krizën të paktën për momentin, dhe ka shpresa për kualifikim direkt, me 12 pikë në gjashtë ndeshje, po aq sa Interi, por me kalendar më të lehtë.
Italianët do të ndeshen me Arsenalin e Dortmundin në dy sfidat e mbetura./abcnews.al

