Inter, “kampion i palumtur”, “Zikaltërit” e mbyllin vitin në krye, por me barazim

schedule16:36 - 30 Dhjetor, 2023

schedule 16:36 - 30 Dhjetor, 2023

Ja pra që mund të jesh në krye, por jo i lumtur.

Padyshim që i tillë është Inter pas barazimit në Serie A në stadiumin e Genoa-s, një rezultat që e nxjerr kampion të dimrit, por që lejon që Juventus të afrohet në vetëm dy pikë. Natyrisht, nuk është fundi i botës të mos fitosh një ndeshje kampionati, aq më shumë jashtë fushe, por nga kjo skuadër pritet më shumë.

Genoa nuk u dominua aspak, përkundrazi dhe vendasit mbajtën topin më shumë, patën njësoj gjuajtje në portë, dhe me goditjet nga këndi ia bënë “Zikaltërve” 8 me 2.

Mos vallë mungesa e kapitenit dhe sulmuesit kryesor, Lautaro Martinez, ishte ajo që vendosi?

Ndoshta, por dihet se sulmuesi tjetër, Marcus Thuram, nuk ka shënuar asnjëherë në mungesë të argentinasit.

Trajneri Simone Inzaghi e pati një qortim.

“E dinim se do të kishim përballë një skuadër në formë të mirë, dhe të vështirë për t’u mundur. Duhej të kishim qenë më të vëmendshëm në rastin e golit të pësuar. Mungonte vetëm një minutë deri në fund të pjesës së parë. Nuk kishim pësuar kurrë më parë një gol nga goditja e këndit, nga goditja standarde”.

Gjithsesi, nuk mjaftoi vetëm barazimi për ta vënë Inter në vështirësi. Edhe goli i avantazhit i shënuar nga Marko Arnautovic, duhej të ishte anuluar, pas një faulli. Jo vetëm që gjyqtari nuk reagoi, por as edhe VAR-i, diçka aspak normale që krijoi zemërim dhe habi.

“Gjysmë yll, titullon “Il Corriere dello Sport”, Interi frenon, protesta për golin e parregullt, pastaj Dragusin i mohon Inzaghi-t fitoren e pestë radhazi”.

“Interi ngec, – është titulli I “La Gazzeta dello Sport”, – Genoa ndalon edhe “Zikaltërit”. Inzhagi thotë se mungesat nuk duhet të jenë alibi”.

Ndërkaq, nuk pati asnjë minutë për mesfushorin e “Zikaltërve”, Kristjan Asllanin.

“Ylli kuqezi” e ndoqi ndeshjen nga stoli.

Inter kryeson Serie A me 45 pikë, ndërsa Juventus që ka 40 mund të afrohet ndjeshëm nëse mund Roma-n mbrëmjen e sotme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!