Simone Inzaghi nuk e ka fshehur gëzimin për fitoren e skuadrës së tij dhe arritjen e parë të tij personale si trajner në një finale të Champions League, pasi zikaltërit fituan 1-0 ndeshjen e kthimit ndaj Milanit duke u bërë kështu finalistët e parë të këtij turneu prestigjoz dhe sot do të mësojnë kundërshtarin mes Manchester City dhe Real Madrid.
“Në ditët në vijim do të kuptojmë më mirë se çfarë kemi bërë. Për ne fillimisht ishte një ëndërr, por ne gjithmonë kemi besuar në të dhe kemi bërë një udhëtim të jashtëzakonshëm. Ka shumë kënaqësi dhe duhet t’i urojmë këta djem.
Jam krenar për gjithçka që ata kanë bërë në fushë, vrapim, vendosmëri, agresivitet, përqëndrim, të gjitha. Ata ishin shumë mirë, fiuam katër derbi ndaj kampionëve të Italisë, jam i lumtur për djemtë e mi, është e drejtë që ata të shijojnë mbrëmje të tilla.
10 qershori? Nuk ka premtime, por gjithmonë kam thënë se angazhimi do të ishte maksimal në të gjitha garat. Ka qenë një periudhë intensive për një muaj e gjysmë, por ne arritëm në dy finale dhe e kthyem rrugëtimin në kampionat siç duhet.
Finalja? Real Madrid dhe Manchester City janë dy skuadrat më të mirë në Evropë, ne i dimë cilësitë që ata kanë. Ndeshjen mes tyre do ta shoh me shumë interes”, është shprehur Inzaghi./ h.ll/abcnews.al