Ishte derbi edhe më shumë sesa vetëm për futboll.
Inter-Juventus është një nga tre sfidat e mëdha të futbollit italian, dhe njëra nga dy prej tyre që cilësohen “Derbi të Italisë”, dhe përveç spektaklit në fushë pati edhe konflikt të ashpër.
Interi fitoi 3-2 dhe u shkëput sërish në krye të Serisë A italiane, ndonëse Milani ka një ndeshje më pak, e shkaku I përplasjeve dhe polemikave ishte sërish arbitrimi.
Në rezultatin 1-1, Kalulu I Juves mori të verdhën e dytë për ndërhyrje ndaj Bastonit, pra u përjashtua me të kuq.
Pamjet filmike me ngadalësim tregojnë se prekja ishte fare e lehtë, thuajse nuk ekzistonte fare, por kartoni qendroi në fuqi, e miqtë luajtën me 10 lojtarë që nga minuta 42.
Pra më shumë se një pjesë loje, ndërsa protestat ishin të ashpra.
“La Gazeta delo Sport” sqaron se VAR-i nuk mund të ndërhynte në këtë rast, sepse kjo sipas rregullores ndodh vetëm kur ka karton të kuq direkt, jo për dy të verdha, diçka që pritet të ndryshojë.
“Arratisje Inter, acarim I Juves, – titullon kjo e përditshme, – arbitri La Pena gabon, I verdhi I dytë bardhezi nuk ekzistonte!”
Më i ashpër “Il Korriere delo Sport”: Dëm! Derbi I shkatërruar! Kalulu, një I kuq absurd! Interi mposht Juven! Komoli: Padrejtësi!”
Skuadra zikaltër e pati shumë të vështirë, edhe pse luajti në epërsi numerike për të paktën 48 minuta, dhe suksesin e arriti fare në fund.
Kambiaso shkaktoi autogol për 1-0 të vendasve, dhe po Kambiaso barazoi për “zebrat”.
Pas pushimit, pranë fundit erdhën golat e tjerë, Espozito për Interin në 76’ e Lokateli për barazimin e dytë në 83’.
Polaku Zielinski shënoi në minutën e 90-të duke vendosur një ndeshje tepër të fortë në stadiumin “San Siro”.
Pas këtij suksesi, Interi kryeson Serinë A me 61 pikë ndaj 53 të Milanit, por rivalët kanë luajtur një ndeshje më pak.


