Barazimi këto kohë quhet humbje. Interi mori vetëm një pikë, nga tre që priteshin dhe që duheshin fituar në përballjen e Serisë A ndaj Bolonjës në “San Siro”.
Skuadra mike u konfirmua edhe një herë si “mace e zezë” për zikaltërit, pasi u ka prishur punë disa herë vitet e fundit.
Përfundoi 2-2 në tempullin milanez të futbollit, me Bolonjën që kaloi në epërsi në 15’ me autor goli Santiago Kastron.
Kampionët e Italisë dhe favoritët për të mbrojtur titullin reaguan shpejt, me Denzel Damfrisin në 19’ dhe kapitenin Lautaro Martinez në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.
Gjithsesi, pas pushimit, të besuarit e trajnerit Vinçenco Italiano barazuan pa kaluar shumë kohë, në 64’.
Realizoi Holm, në përballje të ashpër e të fortë, ku bolonjezët patën më shumë gjuajtje e zotërim topi sesa vendasit.
“Inter, çfarë telashi”, – paralajmëron në titull “La Gazeta delo Sport”, – Bolonjë e bukur vetëm barazim 2-2. Inzagi sulmon arbitrat për gabimet!
“Il Korriere delo Sport” ka një përfundim shumë të saktë: Gëzon Konte! Inter ngec, Napoli I pari me plus tri pikë! Bolonja super!”
Zikaltërit kanë 15 ndeshje radhazi pa humbur, por siç e theksuam më mirë një fitore e një humbje, sesa dy barazime.
Gjithsesi, Inzagi nuk pranoi të kritikonte ekipin e tij, duke vlerësuar lojtarët për paraqitjen e mirë, e duke akuzuar arbitrin se sërish ndikoi në rezultat.
Ylli I kombëtares shqiptare, Kristian Asllani ishte në fushë për 70 minuta dhe doli kur rezultati ishte 2-2, duke I bëvë vend Fratezit.
Paraqitja e tij këtë herë nuk ishte e nivelit të duhur, dhe mesfushori kuqezi mori notën 6.1, duke qenë më I dobëti për të vetët.
Interi mbetet në vendin e dytë në Serinë A me 44 pikë, tri më pak se Napoli, ndonëse kampionët kanë ende për të luajtur sfidën e prapambetur ndaj Fiorentinës.