TIRANË- Inteligjenca artificiale do të përdoret gjerësisht në ekonominë shqiptare dhe jo vetëm.
Qeveria ka miratuar së fundmi programin e politikave monetare ku parashikohet që në dy vitet në vijim përdorimi i inteligjencës artificiale të bëhet në bujqësi, arsim, shëndetësi e sidomos në tatime e financa.
Denisa Kele, eksperte për teknologjinë, e ftuar në “Money Report” pohoi se ky është një hap pozitiv, por sigurisht që ka edhe ato problematikat, të cilat duhen adresuar në kohë.
Ajo theksoi se krahas implementimit të inteligjencës artificiale duhet të punohet në trajnimin e punonjësve të administratës. Ajo pohoi se përdorimi i inteligjencës në prokurimet publike do të minimizonte fenomenin e korrupsionit.
“Çështja është se sa të përgatitur jemi ne për inteligjencën artificialeve. Synimi është duhen trajnime për stafin. Prokurimet publike është sektori i rëndësishëm pasi ka të bëjë me të ardhura të larta. E para, do ketë transparencë, e dyta minimizon korrupsionin. Me përditësimin e të dhënave, inteligjenca artificiale do të zgjedhë atë që është më pranë kritereve. Nuk ka kosto shumë të lartë. Kostoja është në fillim kur fillon, por në vazhdim është kosto e mirëmbajtjes”, tha ajo.