Jo vetëm të socialistëve por Edi Rama kërkon edhe votat e demokratëve. Nga Gjirokastra ku prezantoi kandidatët për deputet, kreu i qeverisë tha se më 11 maj, Brukseli duhet të marrë një mesazh të qartë për mbështetjen që qytetarët shqiptarë do i japin integrimit në Bashkimin Europian.
“Një votë më e fortë se sa thjesht shumica e PS, është mesazh për ata në Bruksel, se shqiptarët përtej të majtës e të djathtës, përtej partive, po na thonë me votën e tyre që ne e kuptojmë mesazhin tuaj, e pranojmë sfidën që na keni bërë. Ne të gjithë si popull mbështesim këtë proces dhe duam të bëhemi anëtarë të BE.”
Ndërsa për të tijët mesazhi ishte i qartë.
“Zgjedhja për çdo deputet është e lirë, por kalon nga vendosja e shenjës te numri 5, pastaj kushdo zgjedh edhe një deputet sipas dëshirës. Sepse me numrin 5 do bëjmë historinë për të cilën jemi bërë të gjithë bashkë.”
Edhe në Gjirokastër, Rama u ndal sërish tek drejtësia. Kryeministri solli si shembull një thënie kineze për të treguar se pavarësisht se kush është përpara ligjit, socialistët duhet të jenë krenarë për drejtësinë e re.
“Duhet të ndjekin atë porosinë e Deng Xiaping , që thonte: Nuk më intereson çfarë ngjyre ka macja, më intereson që të kapë minjtë. Dhe minjtë në këtë vend i kapim vetëm ne. Madje, jemi aq të zotë sa kapim edhe minjtë tanë, jo vetëm të komshinjve. Dhe këtë gjë, kundërshtarët na e “këndojnë” si diçka për të cilën duhet të ulim kokën. Por, pikërisht për këtë ne duhet ta mbajmë kokën edhe më lart.”
Rama nuk harroi të ironizonte edhe programin e kundërshtarëve politike.
“Pasi të hyjmë në BE, pastaj ka kohë do jetë tharë dhe këneta e me ndihmën e Zotit do lulëzojë ndonjë gjë nga krahët e tjerë, se deri tani janë ferra e britma të kënetës. Dje pashë një bretkosë të vogël që thoshte se do të ndryshojë tavolina juaj në 12 maj. Programi ishte një tavolinë që mbushej plot me ushqim, muhabet bretkoshash dmth.’
/abcnews.al