Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka vënë theksin te përgatitja e bizneseve shqiptare për integrimin në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se përveç reformave teknike, ky është një proces i thellë transformimi që kërkon edukim, investim dhe koordinim të ngushtë me sektorin privat.
Në një deklaratë të bërë pas marrjes së detyrës në kabinetin e ri qeveritar, Ibrahimaj bëri të ditur se qeveria do të nisë një program të posaçëm me fokus përgatitjen e sipërmarrjes shqiptare për konkurrencën në tregun e përbashkët europian.
“Integrimi në Bashkimin Europian, sigurisht që është një proces teknik, por sigurisht që është edhe një proces reformues. Përveç pjesës teknike, që jam e bindur se ne do e realizojmë me sukses brenda afateve që na janë përcaktuar. Ne fokusin e kemi te rritja e biznesit shqiptar, që të fokusojë më shumë, që të rritë standardet e eksportit, pasi ne kemi një pozicion gjeografik shumë favorizues.”
Ministrja theksoi se Shqipëria ka potencial për të shndërruar pozicionin e saj në një avantazh të rëndësishëm strategjik në rajon, por kjo do të kërkojë ndërlidhje sistemesh, reformë doganore dhe përafrim të thellë ligjor e operacional.
“Në momentin që ne do të jemi në Bashkimin Europian, ne do të jemi porta hyrëse për vendet e Europës Juglindore, por edhe si portë kryesore edhe për pjesën detare. Duhet të përgatisim procedurat dhe sistemet, në mënyrë që sistemi jonë doganor të jetë i ndërlidhur me sistemet e Europës, por edhe të përgatisim bizneset tona që nga ky avantazh konkurrues që kemi ne të përfitojmë sa më shumë si pjesë e bashkimit.”
Për këtë qëllim, Ibrahimaj shpalli nisjen e një programi të ri të quajtur “Europa në dyert e tua”, që do të fokusohet në edukimin dhe ndihmën për bizneset për të kuptuar dhe përmbushur kërkesat e tregut europian.
“Për këtë ne do të bëjmë një program të dedikuar të quajtur ‘Europa në dyert e tua’, e cila do i dedikohet biznesit, e cila do të merret me edukimin e biznesit, çfarë do të thotë që të jesh pjesë e Bashkimit Europian. Më pas për secilin sektor do të bëjmë një plan veprimi, i cili do të tregojë rrugën se si ato modernizohen me qëllim arritjen e këtyre standardeve. Kjo ka nevojë për edukim, por edhe për financim.”
Në këtë kuadër, qeveria parashikon një mbështetje të zgjeruar financiare për sipërmarrjet shqiptare përmes instrumenteve ekzistuese dhe mekanizmave të rinj të financimit.
“Në Shqipëri mbi 75% e investimeve totale në ekonominë tonë, janë investime private, ndaj dhe ne gjatë këtij 4-vjeçari me qëllim që të jemi në mbështetje të biznesit shqiptar do e financojmë, që të çlirojmë të gjitha kapacitetet që ato kanë. Përmes Bankës së Zhvillimit, por edhe përmes fondit që tashmë është në Bankën e Shqipërisë do të bëjmë të mundur që të modernizojmë financimet e duhura me qëllim që biznesi të ketë mbështetjen e duhur, për arritur objektivat që do të kemi bashkarisht.”
Lidhur me ecurinë e negociatave për integrimin në BE, ministrja Ibrahimaj shpjegoi se viti 2027 është një afat për mbylljen e kapitujve negociues, por zbatimi i plotë i direktivave do të varet nga gatishmëria e sektorëve përkatës.
“Viti 2027 është afati për të mbyllur kapitujt, procesi i negociatave është një proces i cili është thellësisht teknik, ku shteti dhe me grupet e interesit do të përcaktojnë afatin se kur direktivat do të jenë në zbatim 100%. Kjo do të thotë që ka disa direktiva që nuk do të hynë në fuqi në vitin 2027, por mund të hyjnë në fuqi në vitin 2028 dhe 2029 në varësi të gatishmërisë së sektorit teknik për t’i zbatuar ato direktiva.”
Ajo shtoi se çdo sektor do të ketë një qasje të personalizuar në këtë proces, dhe se ky është një moment kyç për të vlerësuar realisht kapacitetet dhe sfidat që lidhen me integrimin.
“Pra viti 2027 nuk do të thotë se do të jetë afati i fundit ku ne duhet të kemi të zbatuara të gjitha standardet e Bashkimit Europian. Për çdo sektor dhe nënprodukt do të ketë një negociatë të veçantë. Ajo që është e rëndësishme, është fati që ne duhet të kemi të detajuar për nivelin gatishmërisë sonë, me qëllim që të marrim masa për të marrë kohën e duhur për t’i përafruar këto direktiva. Ky 2-vjeçar është shumë i rëndësishëm për ne.”/abcnews.al

