Integrimi/ Mbahet këtë të martë konferenca e tretë ndërqeveritare me BE, Rama kryeson delegacionin

schedule07:15 - 17 Dhjetor, 2024

schedule 07:15 - 17 Dhjetor, 2024

Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar, në konferencën e tretë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, e cila pritet të mbahet në Bruksel këtë të martë, më 17 Dhjetor.

Shqipëria do të hapë negociatat për klasterin e 6-të “Marrëdhëniet me Jashtë”, që përfshijnë politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Ky grup kapitull që parashikohet të përmbyllet më shpejt në negociata edhe për shkak se vendi ynë ka qenë në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të BE-së, kryesisht në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë apo edhe për çështje të tjera që lidhen me sigurinë e kontinentit europian apo me politikën e jashtme të tij, përfshirë edhe qëndrimin për konfliktin në rripin e Gazës.

Në Bruksel ndodhet edhe ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion i përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës (30, 31) të grupkapitullit të VI.

Kjo konferencë e tretë ndërqeveritare do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, pas asaj të mbajtur në Luksemburg më 15 tetor, ku Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit ose “Themeloret” që përfshinin Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Drejtësinë, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.

Konferenca Ndërqeveritare i paraprin Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet ditën e nesërme, si dhe një sërë takimeve që Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit do të zhvillojnë me përfaqësues të lartë të BE.

Rrugëtimi Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, i cili mori dakortësinë në marsin e vitit 2020, ka rezultuar i suksesshëm por jo me pak sfida dhe vështirësi nga ana e unionit, të cilët për shumë vite e lidhën fatin e Tiranës me atë të Shkupit, dhe vetëm para dy muajsh, Shqipëria u nda nga Maqedonia e Veriut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!