Integrimi, Majlinda Bregu flet në “Real Story”: Europian nuk na bën vetëm data e anëtarësimit

schedule20:52 - 16 Tetor, 2023

schedule 20:52 - 16 Tetor, 2023

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu thotë se për të mbërritur te tregu europian, duhet të japësh shembullin e krijimit të këtij modeli brenda rajonit.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Bregu u shpreh se europian nuk na bën vetëm data e anëtarësimit, teksa shtoi se rajoni mund të përshtatet në kalimin gradial si pjesë e tregut europian.

“Në fund të ditës a duhet të jemi pak më shumë racionalë, që në rast se ne do të kemi politika konkrete që na bëjnë të kemi të njëjtat të drejta që kanë europianë sot pavarësisht se jetojnë në Berlin, Romë, apo Paris, atëherë a ka kaq rëndësi ajo data se kur do të jemi vend anëtar, pjesë e këtij klubi për t’u ulur në tryezë. Dhe nëse ky proces do të zgjatet kaq shumë a kemi ne garanci se çfarë forme do të ketë BE nesër, me një vend më pak apo me vende që do këmbëngulin deri në fund. Nesër mund të jetë problem një vend tjetër dhe jo Franca. Por ka një problem që ekziston brenda BE dhe normalisht që mendosh përpara për sinorin tënd para se të shohësh jashtë. Cila është rruga tjetër që na bën të përfitojmë dhe mos mbetemi fare pa gjë? Mund të jetë pjesa e përshtatjes dhe kalimit gradual si pjesë e tregut europian. Ne duhet të kopjojmë atë model mbi të cilin nisi Europa edhe pak konfliktit dhe luftrave. Duhet të shkurtojmë kohën duke patur përfitime konkrete. Historia e roaming, është shumë e thjeshtë, por kishte një kusht. Kushti ishte që ne të angazhoheshim për të krijuar ‘fol si në shpi’ në të gjithë Ballkanin.

Kjo ishte përpjekja simbol për ta realizuar më tej në Europë. Me përpjekje titanike e bëmë të mundur dhe hyri në fuqi më 1 tetor, dhe është sot një arritje e procesit të Berlinit. Ky është një model i politikave që na bën ne europian. Europian nuk na bën vetëm data e anëtarësimit. Pra, kjo është logjika e anëtarësimit gradual, me politika konkrete. Por si bëhet kjo? Bëhet kur 6 vendet e rajonit të jenë në një zë dhe unison. Nuk bëhet duke filluar një ditë merremi vesh, një ditë nuk merremi vesh. Për të mbërritur te tregu europian duhet të japësh shembullin e krijimit të këtij modeli brenda për brenda”, theksoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!