Integrimi i Shqipërisë/ Komisionerja Kos: E para, bashkë me Malin e Zi

schedule15:18 - 27 Mars, 2025

schedule 15:18 - 27 Mars, 2025

Shqipëria dhe Mali i Zi janë pararojë në procesin e integrimit. Gjatë një interviste të dhënë në Slloveni, komisionerja për zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, vlerësoi progresin e dy vendeve teksa rikonfirmoi edhe afatet për anëtarësimin e tyre në familjen europiane.

“Dy shtete nga Ballkani Perëndimor janë në pararojë të procesit të anëtarësimit në BE. Mali i Zi që renditet në krye, vend me të cilin negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Shqipëria është në vendin e dytë dhe besoj se mund të kalojë vijën e finishit për ti mbyllur negociatat në fund të vitit 2027.”

Komisionerja Kos është e bindur se procesi nuk do të bllokohet nga vendet anëtare.

“Vendimi përfundimtar do të merret nga shtetet anëtare të BE-së. Jam e vetëdijshme për rëndësinë e jashtëzakonshme të komunikimit sepse nuk mund ta imagjinoj që pasi të kenë përfunduar të gjitha negociatat, shteti anëtar do të thoshte jo, ne nuk e duam atë vend në Bashkimin Europian, prandaj jam optimiste për të dyja shtetet pararojë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.”

Një koment, Kos e kishte edhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian. Komisionerja tha se Beogradi mund të bëhet pjesë e unionit vetëm kur të forcojë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Serbia do të jetë në gjendje të hyjë në Bashkimin Evropian kur të ketë një komb po aq të fortë sa ka sot, duke vëzhguar se çfarë po bëjnë politikanët e tyre. Kjo është dëshmuar të jetë shumë mirë edhe në Slloveni në të kaluarën. Dhe siç thashë edhe më parë, nuk mund të ketë proces zgjerimi pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Unë kam besim te populli serb se ata do të jenë në gjendje t’i drejtojnë politikat e tyre në atë mënyrë që Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.”

Zgjerimi i Bashkimit Europian sipas Komisioneres Kos nuk është me vetëm një process teknik por më së shumti gjeopolitik ndaj është e rëndësishme që unioni të reagojë ndaj cështjëve të sigurisë, mbrojtjes dhe stabilitetit global. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!