Kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari, nga foltorja e Kuvendit është shprehur se në fokus të Këshillit Kombëtar të integrimit evropian do të jetë bashkëpunimi politik ndërpartiak dhe forcimi i grupeve të interesit. Ndër të tjera Hajdari ka hedhur akuza në drejtim të Kryeministrit Rama, duke u shprehur se integrimi i Shqipëri nuk mund të bëhet nga të paintegruarit. Më tej deputetja ka theksuar se Rama në Evropë po bën tangon e Serbisë.
“Sot kemi vetëm një njeri që u tregon të gjithë atyre që kanë veshë të dëgjojnë se është i vetmi më i miri i të mirë dhe se si ai nuk ka. Ka 6 vite që me fjalë shumë dhe me vepra pak, po mundohet të bindë, ata që kanë veshë të dëgjojnë se vetëm ky po ndërton një vend ku liria dhe shteti mbizotëron. Ndërkohë ai është i vetmi që dikton çdo ligj dhe merr çdo veprim brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë vendit. Ky njeri që bën ligje në kurrizin tonë, një njeri që bën ligje në mirë të së mirës së askujt, një njeri që varfëron të varfrit dhe pasuron të pasurit, një njeri që sillet nëpër Evropë me ca reforma të paimplementuara dhe nga ana tjetër bën tangon e Serbisë, sot ndihet më i dembelosur se kurrë dhe më i frikësuar se kurrë nga partia e tij.
Por, ky njeri mendoj se duhet t’i dijë dy gjëra: E para se qeveria e tij është në një proces regresi dhe jo progresi. E dyta: Integrimi nuk mund të vijë kurrë dot nga të paintegruarit. Asnjë nga liderët tanë të vendit nuk e bind dot BE që janë ata që do të bëjnë ndryshime të prekshme me vullnetin e tyre”, tha Hajdari./abcnews.al