Kryediplomati i ri i caktuar i Bashkimit Europian, Josep Borell ka deklaruar se procesi i integrimit të Ballkanit do të jetë prioritet i punës së tij si shef i Politikës së Jashtme të Unionit. Në seancën dëgjimore për konfirmimin e tij, Borell ka bërë gjithashtu të ditur se vizitën e parë do ta bëjë në Kosovë, ku me autoritetet vendase do të diskutojë për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.
Josep Borrell e konsideron Ballkanit Perëndimor dhe politikën e fqinjësisë në Lindje të Bashkimit Europian si një test të peshës gjeopolitike të Bashkimit Europian në botë. Kjo është pjesë e vizionit që i caktuari në postin e përfaqësuesit të ri për politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian ka shpalosur gjatë dëgjesës në komisionin punëve tê jashtme të Parlamentit Europian, që duhet ta konfirmojë në detyrën e re. Borrel ka thënë, se Ballkani dhe partneriteti në Lindje mbeten prioritete të mëdha të politikës së jashtme të Bashkimit Europian:
Josep Borrell, kryediplomati i ri i caktuar i BE-së: “Më lejoni që të nënvizoj që në fillim qëllimin që të angazhohemi në procesin e reformave dhe të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. E di që çfarëdolloj gjëje të them, dikush nuk do mbetet i kënaqur në këtë komision. Por duke qenë se ju më pyesni për prioritetet, mendoj vërtet se Ballkani dhe kufiri ynë në Lindje janë prioritetet e vërteta tê politikës sonë të jashtme. Ne nuk mund të themi që kemi peshë gjeopolitike, nëse s’jemi në gjendje tê zgjidhim problemet që kanë fqinjët tanë më të afërt”.
Me anonçimin e udhëtimit të tij të parë në Kosovë, Borrell ka surprizuar komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian. Kjo pasi Borrell ka bërë të ditur paraprakisht, se nuk do udhëtojë shumë si kryedeiplomat europian dhe mbi të gjitha, se udhëtimi i parë do të jetë në Kosovë, pavarësia e të cilës nuk është njohur nga vendi i tij, Spanja.
Josep Borrell, kryediplomati i ri i caktuar i BE-së: “Njohja e Kosovës është çështje e shteteve anëtare. Ne kemi qasje të ndryshme për njohjen e pavarësisë, por jemi të bashkuar për angazhimin. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje dhe do të bëj ç’është e mundur për të përmbushur këtë prioritet. Në fakt, vizita ime e parë do jetë në Kosovë. Unë njoh mirë Serbinë. Kryeministri i saj ishte i ftuar të vinte gjatë verës në një nga universitetet e Spanjës. Nuk kam qenë asnjëherë në Kosovë për çështje evidente, por vizita ime e parë do jetë atje. Mendoj, se nëse nuk zgjidhim problemet e fqinjëve tanë më tê afërt, do jetë e vështirê të besohet se ne jemi një fuqi gjeo-strategjike. Nuk ka rëndësi se ç’po bën Spanja, pasi përsa kohë Rusia, Kina apo India nuk do njohin pavarësinë e Kosovës, Kosova nuk do jetë shtet. Ajo që duhet të bëjmë, është të vazhdojmë bisedimet. Kosova duhet të tërheqë masat për mallrat dhe Serbia duhet të angazhohet në një dialog të thellë, të plotë dhe të sinqertë. Bisedimet kanë filluar shumë vite më parë dhe kanë zgjatur tepër. Kjo është një nga çështjet që do merren shumë në konsideratë, pasi status kuo-ja nuk shërben. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Dhe jam i lumtur që Kosova zhvilloi zgjedhje krejtësisht demokratike”.
Dëgjesa në Parlamentin Europian për të caktuarin në postin e përfaqësuesit të ri për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian ,Josep Borrell, ka vazhduar rreth tre orë. Proçedura e dëgjesës konsiderohet ndryshe si test i Parlamentit Europian për të gjithë komisionerët dhe zëvendëspresidentët e ekipit të ri të Komisionit Europian. Komisioni i ri Von der Leyen pritet të marrë detyrën në 1 nëntor. /ABC news Albania 24/7