Integrimi/ Alastair King-Smith në “Real Story”: Shqipëria po luan rol të rëndësishëm drejt rrugëtimit në BE

schedule20:44 - 18 Korrik, 2024

schedule 20:44 - 18 Korrik, 2024

Ambasadori britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith thotë se Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm si anëtare e NATO-s, por edhe drejt rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Smith u shpreh se roli i Shqipërisë për t’i bërë ballë Rusisë, vendeve të tjera armiqësore dhe në mbështetjen ndaj Ukrainës, është i pashembullt.

Ndër të tjera, ambasadori shtoi se Britania e Madhe kërkon vazhdimin e partneritetit edhe në fusha të tjera.

Pyetje: Dhe meqë ra fjala e shikoni këtë perspektivë të zgjasë shumë? Pasi duket se qeveria këtu po krijon idenë se 2030 mund të jetë një afat i pranueshëm për integrimin e Shqipërisë në BE. Është përmendur edhe nga vende të tjera të BE që shikojnë domosdoshmërinë e zgjerimit, përpara shtimit të influencës ruse në rajon.

Alastair King-Smith: Më vjen mirë që e përmende këtë Sokol, sepse duhet theksuar roli shumë i rëndësishëm që Shqipëria luan për t’i bërë ballë Rusisë dhe vendeve të tjera armiqësore dhe për të mbështetur përpjekjet që së bashku po ndërmarrin në Ukrainë. Kjo vjen në kuadër të rolit shumë të rëndësishëm që Shqipëria po luan në NATO, por edhe në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, siç thatë edhe ju. Dhe sot, gjatë diskutimeve të Komunitetit Politik Evropian, Ukraina dhe veprimet që ndërmarrim për t’i bërë ballë Rusisë jane tema kyçe diskutimi. Roli i Shqipërisë në këtë kuadër ka qenë i pashembullt dhe ne duam të vijojmë partneritetin jo vetëm në këtë fushë, por edhe të tjera. Kjo sepse vetëm duke përforcuar sigurinë në mbarë Evropën dhe vetëm duke rezistuar së bashku, vendet tona mund të vijojnë të rriten, në të kundërt do të përballemi me rreziqe që do të na ndikojnë shumë negativisht. Kemi parë fare mirë si lufta në Ukrainë ka ndikuar çmimet e energjisë, disponueshmërinë e grurit, kostot e jetesës dhe të gjitha këto kanë ndikim mbi ne, mbi familjet tona, mbi të moshuarit tanë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Shqipëria, Mbreteria e Bashkuar dhe vende të tjera të vijojnë të veprojnë në këtë mënyrë me qëllim që qytetarët tanë të kenë prosperitetin dhe sigurinë për të cilën kanë nevojë. Besoj se kjo është pjesë shumë e rëndësishme e partneritetit tonë në të ardhmen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!