LONDËR- Shqipëria mund të jetë anëtare e Bashkimit Europian edhe pa të drejtë vote. Kryeministri Edi Rama tha se për këtë do duhet një reformim i unionit ndërsa Tirana e pranon këtë përsa kohë që prioritet mbetet ndërtimi i institucioneve demokratike dhe shteti i së drejtës.
“Marrja jonë si anëtar me një status ndryshe është e mirëpritur, pa të drejtë vetoje, votimi për sa kohë BE do të reformojë veten. Kjo reformë ka qenë kryefjalë për kaq shumë dekada. Është e vështirë të reformosh mekanizma”
Në forumin ndërkombëtar të sigurisë dhe politikave globale në Londër, Rama u shpreh optimist për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda dekadës.
“Mendoj se Shqipëria është në një pozicion të mirë. Po përshpejtojmë rrugëtimin drejt BE. Nëse vazhdojnë kështu jam optimist që brenda dekadës do të jemi pjesë e BE. Nëse unioni kthehet në zonën e rehatisë kjo mund të ndryshojë. Duam të jemi pjesë e BE. Për ne BE është një hapësirë paqeje dhe sigurie. Për ne BE është fe, 92% e njerëzve duan të jenë pjesë e tij”
Rama u ndal edhe tek situata gjeopolitike në Europë, kryesisht tek konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës. I pyetur mbi qëndrimin e presidentit amerikan për marrjen e mineraleve në Ukrainë, kreu i qeverisë dha këtë përgjigje.
“Tani, unë jam më i gjati mes udhëheqësve deri tani po jam i vetëdijshëm që vendi im është më i vogli, kështu që nuk besoj që mbështetur në gjatësinë time, unë të jap opinione për politikat e vendeve që janë shumë herë më të mëdhenj se vendi im. Pra të pyesësh mua, a ka Trump të drejtë, s’përgjigje doni prej meje? Ç’përgjigje të mundshme doni veçse Trump ka gjithmonë të drejtë”, tha Rama/abcnews.al

