Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron të tjera përmbytje

schedule10:55 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 10:55 - 1 Dhjetor, 2017

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar se gjatë orëve në vijim të ditës së sotme priten reshje intensive sidomos në Jug të vendit. Kjo situatë do të vazhdojë deri ditën e shtunë.

Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë. Këto reshje mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet (Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër). Shenjat e Alarmit për përmbytje urbane ose nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël janë vendosur në tabelë sipas qarqeve .

Qarqet më të rrezikuara janë Fier dhe Vlorë. Ka mundësi për përmbytje në basenin e lumit Vjosa. Gjithashtu edhe basenet Seman dhe Shkumbin mund të kenë përmbytje përgjatë fundit të ditës së sotme (e premte, dt.01.12.2017) . Nga llogaritjet hidrologjike rezulton se, me sasinë e këtyre reshjeve, në pjesët fushore të këtyre lumenjve ka mundësi përmbytje me prurje shumë të larta. Efektet e ndjeshme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier do të ndodhin në pjesën e parë të ditës së shtunë (dt. 02 Dhjetor 2017). Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve në qarqet ( Elbasan, Gjirokastër dhe Berat) përmbytjet mund të ndodhin përgjatë ditës së sotme (e premte, dt.01.12.2017). Shenjat e Alarmit për Përmbytje nga lumenjtë e mesëm dhe të mëdhenj janë vendosur në tabelë sipas qarqeve .

Në qarqet e vendit është vendosur shenja e rrëshqitjeve të tokës për shkak të intensitetit shumë të lartë të reshjeve dhe vërshimeve nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël .
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve. /abcnews.al