Instat publikon të dhëna alarmante përsa i përket dhunës së grave dhe vajzave në vendin tonë. Studimi është kryer gjatë 2018 dhe rezultatet janë të frikshme pasi 1 në 2 gra ka pranuar se është dhunuar fizikisht , ndërsa 1 në 5 gra pranon të jetë dhunuar seksualisht.
Një në dy gra shqiptare ose 52.9% kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre. Këto shifra janë prezantuar gjatë një konference me temë “Dhuna ndaj grave dhe vajzave, 2018”, të mbajtur nga Instituti i Statistikave në bashkëpunim me UNDP dhe UN Women. Ky studim u krye në 12 prefektura të vendit dhe rezultatet janë alarmante pasi dhuna ndaj femrave vazhdon të jetë një fenomen shumë i përhapur në vendin tonë.
Pjesë të këtij studimi janë bërë 3443 familje dhe femra të grupmoshave 18-74 vjeç.
Rezultatet janë të frikshme pasi:
65.8% e grave kanë përjetuar dhunë nga partneri,
47% kishin përjetuar dhunë në familje nga partneri intim,
1 në 5 gra kishin përjetuar seksuale
18.2% e grave kanë përjetuar dhunë jo nga partneri
Gjatë studimit 18.1 % e grave kanë përjetuar ngacmim seksual
12.6 % kanë përjetuar përndjekje
Në fjalën e saj Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj u shpreh se ky fenomen cenon rëndë të drejtat e njeriut dhe u bëri apel institucioneve shtetërore të marrin masa të menjëhershme.
Ajo çka mbetet më shqetësuese është fenomeni i pranimit të dhunës nga gratë, pasi 1 në 2 prej tyre e cilësojnë dhunën si një çështje private midis partnerëve.
46.5% besojnë se duhet te durojnë dhunën për hir të familjes
26.1% mendojnë e nuk duhet të tregojnë kur dhunohen.
Në përfundim të studimit 83% e grave mendojnë se duhet të ketë ligje që të mbrojnë gratë dhe vajzat nga dhuna. Fenomenin i dhunës ndaj femrave vazhdon të jetë një plagë e hapur e shoqërisë Shqiptare pavarësisht fushatave sensibilizuese që po kryhen herë pas here.
Dhuna është e përhapur në të gjitha shtresat sociale./ABC News Albania 24/7